2.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Lansohet programi shtetëror “Sport në Shkolla”, që synon fuqizimin e nxënësve

Në shkollën “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, me praninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sot u lansua programi shtetëror “Sport në Shkolla”, i cili ka për synim mirëqenien dhe edukimin e të rinjve përmes sporteve të ndryshme në arsimin parauniversitar.

Programi “Sport në Shkolla” do të fillojë nga sot me zbatimin e kurseve të rregullta sportive për nxënësit, si dhe pajisjen e shkollave me mjetet e nevojshme për sportin e shahut dhe basketbollit, me qasje të plotë dhe pa pagesë për të gjithë nxënësit brenda mjedisit shkollor dhe në raste të caktuara edhe në hapësira sportive jashtë shkollës.

Kurti, para të pranishmëve, tregoi se në linjë me vizionin e Qeverisë, programi është hartuar në kornizë kohore prej gjashtë vitesh, dhe i përfshinë pesë komponentë: zhvillimin e aktivitetit të rregullt sportiv dhe fizik në shkollë; organizimin e garave sportive në shkolla; ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për organizimin e aktivitetit sportiv; furnizimin e shkollave me pajisje sportive; dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive shkollore.

“Në përpjekjen tonë të përbashkët, ne duam që të gjithë pa dallim, si etni, si statusi socio-ekonomik, të gjitha moshat, nga më të vegjlit e klasës së parë e deri tek ata në shkollat e mesme, pavarësisht nëse jetojnë në fshat ose në qytet, të kenë mundësinë të marrin pjesë dhe të shijojnë më shumë aktivitet fizik e ndeshje sportive”, u shpreh ai duke theksuar se mirëqenia e të rinjve është kryefjala e këtij programi.

Faza pilotuese e “Sport në Shkolla” ka filluar në gjysmë vjetorin e vitit të kaluar, në 49 shkolla të 23 komunave të Kosovës, nëpërmjet trajnimit të mësimdhënësve për zbatimin e programit në sportin e basketbollit dhe të shahut. Ndërkaq sot, kryeministri ftoi nxënësit për pjesëmarrje aktive sepse, siç edhe tha ai, përmes lojës në fushë kultivojmë vlerat të cilat na përcjellin gjatë tërë jetës: disiplinën në punë, respektimin e rregullave dhe lojën e ndershme, bashkëpunimin dhe vlerësimin për shoqërinë, e aftësitë për të përballur sfidat me sukses.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh i lumtur që sot janë mbledhur në këtë komunë, në Shkollën “Xheladin Rekaliu” për të festuar nisjen e programit kombëtar “Sport në Shkolla”, një ngjarje siç tha ai tejet e rëndësishme për nxënësit dhe shkollat.

“Për t’i dhënë rëndësinë që i takon këtij programi, sot kemi edhe kryeministrin dhe ministrat përkatës qeverisë këtu. Aspekti fizik dhe vitaliteti i nxënësve është tejet i rëndësishëm për shëndetin fizik e psiqik të tyre. Aktivitete sportive jo vetëm që e ndihmojnë ata të ruajnë një trup të shëndetshëm, ato gjithashtu i ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë aftësitë e tyre sociale’’, u shpreh kryetari derisa përgëzoi  Qeverinë e vendit për realizimin e këtij projekti kombëtar.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës dhe me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, janë hartuesit dhe realizuesit e programit shtetëror “Sport në Shkolla”.

Ndërkaq, sot në ceremoninë lansuese përveç kryeministrit Kurti, të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi si dhe Kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img