Takimi i thirrur nga Behgjet Pacolli në shtëpinë e tij në Hajvali, po rezulton të jetë i suksesshëm.
Gazeta Blic nga burime brenda takimit, ku pos kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, kryetarit Kadri Veseli, po merrë pjesë edhe presidentit Thaci, është arritur pajtueshmëri për miratimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Sipas këtyre burimeve, ka një pajtueshmëri ndërmjet liderëve në këtë takim, por me një kusht të vetëm.
“Ka pajtueshmëri për kalimin e demarkacionit, po me kushtin që nëse ka gabime, të korrigjohen. Edhe Mali i Zi është pajtuar me këtë kusht”, thonë këto burime brenda takimit.
Para pak castesh, Gazeta Blic raportoi se pritet që të martën pas takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij të Malit të Zi, të Dushko Markoviq, të gjindet një zgjidhje për demarkacionin.“Pritet që nga ky takim të gjindet një zgjidhje për demarkacionin.
Sipas të gjitha gjasave, kryeministri i Malit të Zi, do të pajtohet që ta potencoj mundësinë e korrigjimit, nëse konstatohen gabime në shënjimin e kufirit ndërmjet dy vendeve”, tha ky burim i Gazetës Blic.
Gjithnjë sipas këtij burimi, ky zotim i kryeministrit të Malit të Zi për demarkacionin, do ta zgjidhë përfundimisht këtë cështje, dhe deputetëve kosovarë do t’ua bëjë më të lehtë që të vendosin për këtë marrëveshje.
Gjatë ditës së sotme, edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka thënë se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij të Malit të Zi, Dushko Markoviq, do të jetë mundësi që të arrihet shansi për një zgjidhje të shpejtë e cila do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.
“Çka do që të ndodh, mendoj se gjërat janë relativisht të qarta:? Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është një prej kushteve më të rëndësishme për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës, natyrisht, përveç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Sholtes për të përditshmen malazeze “Pobjeda”.Ai ka folur për mundësi të reja për zgjidhjen e kësaj cështjeje.
“Mund të arrihet edhe ndonjë zgjidhje tjetër që do të mund të çonte në zhbllokim në Parlamentin e Kosovës, ndonjë formulë e dytë apo e tretë përmes së cilës do të zgjidhej çështja e demarkacionit të kufirit. Por, për këtë mund të flasim pas takimit mes dy kryeministrave”, shtoi Sholtes.
Ndërkohë, edhe marëveshja e arritur në vitin 2015 për shënjimin e kufirit ndërmjet dy vendeve, gjegjësisht pika e 7 e kësaj marrëveshje parashikon korrigjime të demarkimit.
“Komisionet Shtetërore të kufijve të palëve do të formojnë një Trup të përbashkët pune në juridiksionin e të cilit do të jetë që, në bazë të dokumenteve të përcaktuara në nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje, të kryejë në terren shënjëzimin e kufirit të përcaktuar me këtë marrëveshje dhe të krijojë dokumentacionin për kufirin e përbashkët shtetëror, në të cilin do të bëhet përshkrimi I mënyrës së shënimit të saj dhe përcaktimi i pozicionit të shenjave kufitare”, thuhet ndër të tjera në nenin 7 të kësaj marrëveshje, raporton Gazeta Blic.
Sipas kësaj pike, thuhet se korrigjimet mund të ndodhin vetëm nëse ka pajtueshmëri ndërmjet dy palëve.
“Duke u nisur nga kushtet lokale, gjeografike dhe ekonomike në përgjithësi, Trupi i përbashkët i punës për shënjimin e kufirit shtetërir, do të ketë mundësi që me pëlqimin e dyanshëm, të bëjë korrigjimet e nevojshme dhe të ekulibruara”, thuhet ndër të tjera në këtë pikë.Në anën tjetër, pritet që nesër kryesia ta procedoj për në Kuvend marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.
Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet ish- ministrit të Jashtëm Hashim Thaci dhe homologut malazez, kishte shkaktuar tensione të mëdha në vend.
Atë kohë opozita e përbërë nga VV, AAK e Nisma kundërshtaun fuqishëm këtë marrëveshje.
Përpos protestave, u përdor edhe gazi lotsjellës, vetëm e vetëm që të pengohet kalimi i kësaj marrëveshjeje.Ishte pikërisht kryeministri aktual i vendit, Ramush Haradinaj ai i cili ishte fuqishëm kundër kësaj marërveshjeje.
Madje, edhe para pak ditësh ai ka theksuar se është turp që vendi të falë 8 mijë hektarë tokë, për të marrë sic ka thënë ai liberalizimin e vizave.BE i aka vendosur Kosovës kusht demarkacionin, në mënyrë që t’ia jap liberalizimin e vizave.