Kryesia e Kuvendit ka dërguar Projektligjin për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Qeveri, duke e avancuar kështu iniciativën që ndërkombëtarët e konsiderojnë si më të rrezikshmen për Kosovën.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kryesia e Kuvendit ka vendosur që nismën për shfuqizimin e Speciales ta procedojë për shqyrtim në Qeveri.
“Nga Kuvendi, kryesia mori vendim që Projektligji për Shfuqizimin t’i shkojë Qeverisë. Topi tash është në duart e Qeverisë”, ka thënë Konjufca.
“Është pamundësuar në mbledhjen e kaluar të Kryesisë për shkak se nuk kishte kuorum, këtë herë kishte kuorum prej katër anëtarëve dhe u mor vendim që nisma e deputetëve për shfuqizim të shkojë në shqyrtim në Qeverinë e Kosovës. Pra ka një avancim të kësaj nisme”, ka thënë më tej ai.