Eshtrat e Ukshin Hotit do të kthehen në Kosovë.
Albanian Post, nga burimet brenda Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, merr vesh se tashmë është arritur akordim që eshtrat e intelektualit dhe ish-profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë në Universitetin e Prishtinës, të kthehen në Kosovë.
Bashkë me mbetjet e Hotit, i cili mungon qe 22 vjet, prejse herën e fundit u pa nga shokët e tij të qelisë me 16 maj të vitit 1999, do të kthehen edhe eshtrat e gjashtë të zhdukurve të tjerë.
Emrat e personave, mbetjet e të cilëve kthehen bashkë me ato të Hotit, do të bëhen të ditur shpejt nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, organizata e cila është marrë me organizimin e kthimit, njofton burimi për Albanian Post.
Pas kësaj edhe do të vazhdojnë bisedimet në dialogun e Brukselit, meqë situata në veri pritet të stabilizohet me ndërhyrjen e trupave të KFOR-it atje.
Është identifikuar gjithashtu edhe ekzekutuesi i Hotit, bëjnë me dije për AP-në.
Albanian Post kupton që organet në Serbi prej kohësh kanë provuar që të vihen në kontakt me njerëz në Kosovë për të gjetur një modalitet që mbetjet e kufomave, përfshirë ato të Ukshin Hotit, të kthehen, por të mos u dorëzohen institucioneve në Prishtinë.
Ideja ishte që fillimisht t’i dorëzohen dikujt tjetër dhe jo direkt Qeverisë së Kosovës.
Diçka e tillë nuk është arritur dhe tashmë është çështje kohe kur edhe mbetjet vijnë për varrosje me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta.
Ky kthim, i shumë kërkuar në Kosovë, po ndodhë pas më shumë se 22 vjetësh, prejse Hoti, një ditë maji, u zhduk dhe nuk u pa më.
Kush ishte Ukshin Hoti?
Ukshin Hoti ka lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe në komunën e Rahovecit të Kosovës.
Babi i tij ishte shitës gazetash përpallë shkollës së fshatit. Shkolla ofronte vetëm katër vjet edukim, ndaj Hotit iu desh të vazhdojë vitet tjera në fshatin Rugovë të Hasit.
Ai do vazhdonte në Normalen e Prizrenit dhe më pas në Prishtinë. Ky nivel shkollimi, për atë kohë, ishte i mjaftueshëm që Hoti të kthehej të jepte mësim në shkollën e tij të fshatit në vitin 1963.
Kjo për një periudhë të shkurtër kohore, meqë ambicia e Hotit do ta dërgonte atë një vit më pas në Zagreb, fillimisht në Fakultetin e Mjekësisë. Por, edhe me insistimin e disa profesorëve të tij atje, ai do ri-orientohej në një tjetër fushë, atë të Shkencave Politike.
Në Zagreb janë edhe gjurmët e para të aktivizimit të tij, kur ai me shokë do organizonte protesta për luftën në Vietnam. Hoti do linte Zagrebin, për të vazhduar studimet pasuniversitare në Beograd për marrëdhënie politike dhe ekonominë ndërkombëtare. Në atë kohë do kryente edhe shërbimin ushtarak.
Kjo ishte koha kur do fillonte të shkruante artikujt e parë, kryesisht në rubrikën e politikës së jashtme, të cilat do botoheshin në gazetën “Rilindja”.
Në vitin 1970, Ukshin Hoti angazhohet në administratën shtetërore, më saktësisht në Komisionin Ndërkombëtarë për Bashkëpunim me LSPPJ (Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë) ku punon deri në maj të vitit 1972. Në këtë kohë dhe brenda këtij pozicioni, ai delegohet për një mision paqeruajtës në Angolë për një periudhë 4 mujore.
Po në vitin 1972 Ukshin Hoti emërohet Sekretar i sekretariatit për Marrëdhënie më Jashtë, për këtë arsye ai shpërngulet në Prishtinë për të marrë funksionet e tij.
Ishte gjatë mandatit të tij, kur pas një marrëveshje mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, u mundësua që disa profesorëve të Shqipërisë të vijnë të vendosen në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, një nga ta Arben Puto, që ligjëronte histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare, deri më 1980.
Megjithatë, Hoti me 1977 do dorëhiqej nga posti i tij, si shenjë revolte për hendekun e madh që krijohej mes gjendjes në Kosovë dhe republikave të tjera në Jugosllavi.
Hoti në SHBA
Hoti, në vitin 1978 ishte nga shqiptarët e pakët që kishte fituar bursën “Fulbright” dhe do udhëtonte për të vazhduar specializimin në Universitete si ai Uashingtonit, Çikagos e Harvardit.
Në Harvard ishte zgjedhur si njeriu që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1979, Ukshin Hoti vendoset në Prishtinë dhe bëhet profesor në Universitet, në fakultetin e Drejtësisë dhe të Filozofisë, ku ligjëron Sociologjinë Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Rikthimi
Hoti do merrte përsipër sfidën për të treguar në mënyrë të qartë qëllimet dhe qëndrimet e tija rreth bashkimit të shqiptarëve, që sipas tij, kishin arritur pjekurinë për vetëqeverisje dhe që demokracia e shqiptarëve të Kosovës kishte lindur vetvetiu, pa ndikime të jashtme. Kjo është ajo që më vonë, Ukshin Hoti do ta përshkruante si “Demokracia Autentike”.
Nga e majta në të djathtë: Mentor Kaçi (montazh), Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu (Regjisor) dhe Halil Alidema (historian) me 21 maj 1982.
Burgosjet
Pas trazirave të vitit 1981, ai do të arrestohej dhe me datën 21 maj te vitit 1982, dënohet me nëntë vjet burgim për mbështetjen e revoltës. Dënimi më pas iu zvogëlua në tri vjet e gjysmë.
Pas arrestimit të vitit 1981, Ukshin Hoti vuajti dënimin fillimisht në burgun e Prishtinës, më pas në burgun e Zagrebit dhe në fund në burgun e Lubjanës.
Në prill të vitit 1985, Ukshin Hoti lirohet, por gradualisht detyrohet të izolohet në fshat. Jeton në kushte të izolimit ekstrem dhe nuk ka të drejtë të merret me çfarë do aktiviteti politik dhe pedagogjik. I merret pasaporta dhe ruhet nga policia serbe dhe shërbimet sekrete.
Në vitin 1990, do vendosej në Lubjanë, atje ku shtypi nuk ishte ende i censuruar. Filloi të shkruante për dy gazeta shqiptare, “Alternativa” dhe “Republika”. Më pas, gazetat do mbylleshin dhe Hoti detyrohet të kthehet në Krushë të Madhe, ku merr përsipër angazhimin për vetëdijesimin kombëtar në zonat rurale.
Por, në vitin 1992, një grup studentësh bën kërkesën pranë Fakultetit të Filozofisë që t’i mundësohet Ukshin Hotit, kthimin për të ligjëruar në këtë fakultet, gjë që do ta bëjë deri në vitin 1993.
Në vitin 1992, në fshatin Brestovc, Ukshin Hoti organizon një homazh për viktimat e vrara nga policia serbe dy vjet më parë në një demonstratë për Republikën e Kosovës dhe për këtë u dënua në vitin 1993 me 55 ditë burgim.
Në vitin 1992, në rrethana të panjohura ai largohet nga LDK-ja, në të cilën ishte anëtarësuar më 1991. Në të njëjtin vit shkon në Tetovë në një tubim kombëtar të organizuar nga shqiptarët. Aty mban një fjalim, ku përkrahë haptas bashkimin kombëtar brenda një shteti Shqiptar.
Në maj të vitit 1993, viziton pallatin e shtypit të gazetës “Rilindja”, që kërcënohej me mbyllje, ku Adem Demaçi dhe aktivistë të tjerë bëjnë grevë urie për të përkrahur lirinë e medieve. Gjatë rrugës së kthimit, ndalohet në një post bllok policor në Komoranë. Aty rrihet nga policia. Pas lirimit, po atë ditë, ndalohet përsëri dhe përsëri rrihet për vdekje.
Pasi kishte dalë nga izolimi, partia politike “UNIKOMB” i propozon Ukshin Hotit të jetë kryetarë i saj. Më 17 maj 1994, rrugës për në Prishtinë për të marrë postin, ai ndalohet nga policia serbe dhe burgoset në Prizren. Akuzohet se është anëtarë i lëvizjes ilegale në Kosovë (LPRK) dhe se ka themeluar gazetën “DeA”, nën qeverisjen dhe financimin e këtij të fundit. Po ashtu, akuzohet se është anëtarë dhe kryetar i partisë “UNIKOMB”, që konsiderohej ilegale.
Ai dënohet me 5 vjet burgim për ndërmarrjen e veprimeve antikushtetuese duke e rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë. Atëherë, ai transferohet në burgun e Dubravës, pastaj në Nish, në Mitrovicën e Sremit, për t’u rikthyer më pas në Nish.
Në kohën e burgut, Hoti mban një korrespondencë me shkrimtarin Ismail Kadare. Këto shkrime do të publikohen në vitin 2000, me titull : “Bisedë përmes hekurash”.
Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, e diel, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk do dihej më për fatin e tij.
Si u zhduk Ukshin Hoti?
Ditën e daljes nga burgu, Ukshin Hoti ishte rrëmbyer, më pas ai ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave.
Kështu u zbulua nga disa dokumente të siguruara nga redaksia e emisionit “Udhëve” në RTK, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesisë për krime lufte.
Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb.
Jo zyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shtetëror serb me kodin 9787960, ai që e priti te dera e burgut.
Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar.
Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 thuhet se një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999.
Vendi ku eshte vrare Ukshin Hoti
Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës.
Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë dhe formën se si ishte vrarë Ukshin Hoti.