Site icon PrishtinaPress

Lajçaku nuk i takoi përfaqësuesit shqiptarë të Luginës, Sinani: Qasje për keqardhje dhe kundërproduktive

Këshilltarja e kryeministrit Kurti për Luginën, Ardita Sinani është shprehur e zhgënjyer që ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajaçk nuk i takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Sinani ka thënë se është e pakuptueshme mungesa e takimeve nga ana e Lajçakut me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, shkruan Reporteri.net.

Sipas saj kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara, siç thotë ajo për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës.

“Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit e listës serbe, të komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës”, shkruan Sinani.

Ajo thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur dhe se është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.

Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi.

Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi”, thotë tutje Sinani.

Ajo në fund i ka bërë thirrje Lajçakut që ti ftojnë në takim edhe të zgjedhurit e shqiptarëve në Luginë të paktën për ti dëgjuar.

“Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm.
Përfshirja e të zgjedhurëve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, përfundon Sinani.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, në vizitën dyditore në vendin tonë ka takuar krerët e shteti, liderët opozitarë,  ambasadorët e akredituar në Kosovë e po ashtu edhe zyrtarë të Listës Serbe. /Reporteri.net/

Exit mobile version