Site icon PrishtinaPress

Lajçak: Vazhdon përpjekja jonë për t’i normalizuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar sot në Vjenë me rastin e aktivitetit përkujtimor kushtuar 30-vjetorit të Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se vazhdon përpjekja për t’u kthyer në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Klan Kosova.

“Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Kosovë dhe Serbi për të ndjekur përpjekjet tona të BE-së për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Fokusi kryesor ishin takimet e mia me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, si dhe me presidentin Aleksandër Vuçiq në Serbi për të shqyrtuar opsionet për rrugën përpara në përputhje me kërkesat e BE-së për deeskalim, zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrja e serbëve të Kosovës dhe kthimi në dialog”, ka thënë Lajçak.

Tutje, ai ka shtuar se i vlerëson shkëmbimet e thelluara të ideve me palët për hapa konkretë.

“Në Kosovë takova edhe shefin e ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, gjeneralmajor Barbano dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ristuccia. Ne diskutuam situatën e sigurisë në Kosovë, nevojën urgjente që të gjitha palët të ndërmarrin hapa konkretë për de-përshkallëzimin dhe kemi shqyrtuar opsionet për kontributin e organizatave tona”, ka thënë ai tutje.

Sipas tij, ky udhëtim i ka ndihmuar që të kuptojë më mirë situatën në terren dhe hapat e mëtejshëm të nevojshëm.

Exit mobile version