Site icon PrishtinaPress

Lajçak takon Bislimin në Bruksel, bisedojnë për hapat e ardhshëm në dialog

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar sot në Bruksel Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialogun me Serbinë.

Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm është biseduar për hapat e ardhshëm në dialog.

“Patëm një diskutim të gjatë dhe të detajuar me Besnik Bislimin sot në Bruksel për gjendjen e tanishme dhe hapat e ardhshëm në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Edhe Besnik Bislimi përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar për takimin me Lajçakun.

“Së bashku me Përfaqësues Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, diskutuam për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut. Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë konstruktive dhe aktive në procesin e dialogut”, ka shkruar Bislimi.

Takimi i sotëm i Lajçakut mund të jetë në kuadër të përgatitjes së një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq i paralajmëruar të mbahet në pjesën e dytë të këtij muaji (korrik).

Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se janë duke punuar për organizimin e takimit Kurti-Vuçiq, i cili pritet të mbahet gjatë muajit korrik.

Ditë më parë nga zyra e kryeministrit Kurti i kanë thënë Telegrafit se ende nuk ka ftesë zyrtare nga Brukseli për një takim të tillë, por ai mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut.

Ndërkohë, Lajçak gjatë Forumit të 15-të në Dubrovnik tha se janë gati tri-katër marrëveshje ndërmjet dy palëve dhe se pret që ato të finalizohen së shpejti.

Ai me atë kishte thënë se vlerëson të dyja palët [Kosovën dhe Serbinë] për takimet mujore në nivel të negociatorëve kryesorë dhe shtoi se ekziston marrëveshja që takimet të zhvillohen në nivelin më të lartë [Kurti-Vuçiq].

Exit mobile version