Kosova dhe Serbia janë takuar sot në Bruksel në nivel të ekspertëve ku Skënder Hyseni dhe Marko Gjuriq janë pritur nga i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak konfirmoi se kanë punuar drejt përfundimit të disa çështjeve që janë diskutuar gjatë takimeve të fundit.
“Para takimit të nivelit të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës që do të mbahet në fillim të shtatorit, u takova sërish me negociatorët/koordinatorët në Bruksel për të punuar në përfundimin e çështjeve që janë diskutuar gjatë takimeve të fundit”, shkroi Lajçak, duke bashkangjitur edhe fotografi me Hysenin dhe Gjuriqin.
Zyrtarisht nuk është bërë e ditur për çështjet, por të dyja këto tema ishin në tryezën e diskutimit edhe në takimin e fundit që ishte zhvilluar në fund të muajit korrik në Bruksel.
Ndërkaq, një javë pas takimit të sotëm në Bruksel, do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në Uashington i thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në BE atë takim nuk e shohin si konkurrencë apo garë mes tyre dhe SHBA-së, por vetëm si plotësim të përpjekjeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë vjeshtës, sipas burimeve të BE-së, pritet një rritje e dinamikës së takimeve, si në nivelin e lartë, ashtu edhe në atë të ekspertëve.
Në pjesën e parë të shtatorit do të mund të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, ndërsa takimet e ekspertëve do të mund të zhvillohen rregullisht, së paku një herë në javë, nëse rrethanat do të mundësojnë një gjë të tillë dhe palët do të kenë gatishmëri.
Ahead of the High-Level Meeting of the Belgrade-Pristina Dialogue in early September, I met again with the chief negotiators/coordinators in Brussels to work on finalizing the issues discussed during the last meetings. pic.twitter.com/dOACAmGJo2
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) August 27, 2020