-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Lajçak për tensionet në veri: Nëse s’ka kthim në normalitet, të dyja palët humbasin

Që kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme Josep Borrell e emëroi atë të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në vitin 2020, Miroslav Lajçak nuk e ka parë kurrë një tension kaq të thellë.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Lajçak ka thënë se çështja nuk qëndron se kush e nisi, sipas tij nëse kjo krizë në mes të dy shteteve fqinje nuk përfundon, të gjithë do të humbasin.

“Tani të gjithë mendojnë se për atë që ndodhi është faji i tjetrit. Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Beogradit dhe Prishtinës të kuptojnë se janë përballë një ‘situatë humbje’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy duhet të humbasin”, tha ai.

Sipas tij, tani është koha për t’i ulur tensionet, teksa shton se nuk mund të ketë përshkallëzim dhe normalizim në të njëjtën kohë.

“Nuk mund të lejojmë që njerëz të vriten ose të plagosen, tani është koha për të ulur tensionet. Marrëveshjet që nënshkruam në shkurt dhe mars duhet të veprojnë si udhërrëfyes”, shtoi ai.

Teksa është pyetur se a është e vërtetë që përleshjet janë shkaktuar nga provokatorët serbë, të cilët kanë acaruar protestat, Lajçak ka theksuar se ka versione të ndryshme se kush e nisi dhe padyshim që në turmë kishte provokatorë.

“Si gjithmonë në këto raste, por tani e rëndësishme është rivendosja e qetësisë”.

Lajçak u pyet se çfarë roli luan fakti që presidenti serb Vuçiq është i kontestuar nga brenda për dhunën e regjimit të tij në tensionet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk dua të spekuloj, procesi politik serb ka dinamikën e vet të brendshme dhe ky është një front i ri. Të dyja situatat, ajo e brendshme serbe dhe ajo e përplasjeve në Kosovë, kërkojnë vëmendjen më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ato duhen parë së bashku, por duhet të trajtohen veçmas”.

Po ashtu, ai nuk beson se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të kenë të njëjtin fat si marrëveshjet e Minskut ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Jo, sepse këto janë marrëveshje shumë solide, ku proceset monitorohen vazhdimisht. Dhe pastaj sepse, ndryshe nga ato në Minsk, ato përcaktojnë jo vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe ndërmjet secilit prej dy aktorëve dhe Bashkimit Evropian: kjo krijon një nyje që vështirë të thyhet”.

Megjithatë, ai është shprehur i bindur se marrëveshjet do të zbatohen dhe se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian.

Lajçak foli edhe për ndikimin e Rusisë.

“Rusia gjithmonë përpiqet të futet në këto kriza me një çelës antiperëndimor, por ajo nuk ka aftësinë të propozojë një axhendë më të mirë për këtë fushë. Topi është tani në duart tona dhe në atë të aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe: Të gjithë jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian”.

“Vuçiq ka thënë vazhdimisht se objektivi i tij strategjik është ta sjellë Serbinë në Bashkimin Evropian. Është e vërtetë se Serbia nuk votoi pro sanksioneve kundër Rusisë, por votoi së bashku me komunitetin ndërkombëtar në favor të mbrojtjes së integritetit territorial të Ukrainës. Nëse dëgjoni me kujdes atë që thotë Vuçiq, dilema nuk ekziston: e ardhmja e Serbisë është një e ardhme evropiane”.

Kur pyetet se është e kapërcyeshme trashëgimia e së kaluarës, Lajçak ka potencuar se ndonëse historia nuk mund të fshihet, megjithatë supas tij gabimet e vjetra mund të shmangen.

“Ka ende shumë nga e kaluara në politikën e Ballkanit, veçanërisht ndjenja e padrejtësive të vuajtura. Historia nuk mund të fshihet, por gabimet e vjetra mund të shmangen. Ky proces mbështetet nga një angazhim i fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Ne kemi vite që punojmë për standardizimin, jo nga dje”, përfundoi ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img