I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimeve të tij në Qeveri me kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Në një prononcim për mediat, Lajçak ka thënë se pavarësisht disa rezultateve të arritura përmes dialogut, si marrëveshja për energjinë, njohja e targave e heqja e regjimit të stikersave, është arritur pak progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Sipas tij, me arritjen e marrëveshjes në shkurt dhe mars të 2023-ës, nuk ka vend për pyetjet se çfarë dhe si të veprohet, por vetëm kur, duke theksuar më tej se meqë do të ketë zgjedhje në BE dhe SHBA, atëherë kjo nënkupton se vëmendja e bllokut do të fokusohet në këtë proces.
“Pra ne kemi hyrë në vitin e ri, 2024 dhe siç e dini është një vit specifik me zgjedhjet në BE dhe ato në SHBA, që dmth se vëmendja më vonë këtë vit do të jetë e fokusuar në këto procese dhe prandaj kam udhëtuar për në Beograd dje dhe në Prishtinë sot, në mënyrë që të diskutojmë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të shohim se ku jemi dhe të diskutojmë për progresin që mund të arrijmë para se të hyjmë në këto procese zgjedhore. I dini rezultatet e rëndësishme në dialog para fundit të vitit, marrëveshja për energjinë, njohja e targave, përfundimit i regjimit të stikersave në targa… por ka pak progres në pikëpamjen e gjerë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Ne kemi marrëveshjen prej shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar, që dmth nuk ka nevojë për pyetjet se çfarë duhet të bëhet, nuk kemi nevojë as të pyesim se si ta bëjmë. Pyetja që ia bëjmë vetes është kur dhe sigurisht po të më pyesni mua, iu them që sa më parë që është e mundur dhe pa vonesa të fillohet me implementimin e marrëveshjes. Kemi pasur diskutime të gjata me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi dhe tani unë patjetër që do t’i analizoj ato që kam dëgjuar, dje nga presidenti Vuçiq dhe sot nga partnerët e mi këtu dhe unë do t’i informoj lidershipin e BE-së dhe SHBA-në, si dhe do të përgatisim se cilët janë hapat e mëtejmë. Ne vërtetë dëshirojmë që procesi i normalizimit të vazhdojë, sepse kjo sjellë benefite për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu”, tha Lajçak.
Emisari i BE-së ka thënë se gjatë takimit është diskutuar edhe ndalimi i dinarit serb nga Banka Qendrore e Kosovës, për të cilin ka thënë se “nesër do të jepen më shumë informata”.
Ndërsa për hetimet e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Lajçak tha se ato po kryhen nga shtete individuale dhe jo nga BE-ja.
“Sulmi në Banjskë diskutohet në çdo takim prejse ka ndodhur. E diskutuam edhe dje në Beograd. Presim që sulmuesit të mbahen përgjegjës. Po presim hetimet nga shtetet individuale”, seklaroi Lajçak.
Kujtojmë se Lajçak më herët u takua edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces.
Ajo theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.