Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ndërmjetësi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në margjinat e forumit ekonomik të Davosit, i cili nis të hënën në Zvicër.
Këtë e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar se takimet do të jenë të ndara derisa sipas tij nuk pritet të ndodhë ndonjë takim trepalësh.
“Nuk është planifikuar një takim i përbashkët lidhur me dialogun, si ai i nivelit të lartë apo i ngjashëm”, ka theksuar Stano.
Temë e këtij viti në samitin e Davosit është ‘Rindërtimi i Besimit’ e ku pritet të marrin pjesë liderë nga 100 vende të botës dhe organizatat kryesore ndërkombëtare. /RTK