5.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Lajçak: Më është kërkuar të vazhdoj punën si emisar edhe pak, jam i bindur që Asociacioni do të bëhet

Ndonëse janë përmendur emra të ndryshëm për të pasuar në pozitën e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se atij i është kërkuar që të qëndrojë edhe pak në pozitën e tij.

Në një intervistë Lajçak ka thënë se i është kërkuar që të qëndrojë edhe pak në pozitën e emisarit dhe se puna e tij vazhdon. Lajçak ka përmendur vizitën e tij në Serbi dhe Kosovë dhe ka thënë se fokusi do të jetë zhbllokimi i implementimit të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit.

“Sa i përket meje, më është kërkuar që të qëndrojë edhe pak më gjatë në punë, kështu që puna ime vazhdon. Do të vizitojë këtë javë Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar  programin e punës për periudhën e ardhshme dhe fokusi do të jetë zhbllokimi i implementimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, ka thënë Lajçak.

Emisari sllovak ka shprehur bindjen e tij që marrëveshja përfundimisht do të implementohet, por thotë se pyetjet se si dhe kur janë kyçe për Kosovën dhe Serbinë që t’iu përgjigjen. Lajçak ka thënë se do të vazhdojë punën deri në fund të mandatit që diçka e tillë të ndodhë.

Emisari sllovak ka specifikuar se as Kosova dhe as Serbia s’mund të bëhen anëtare të BE-së përpara se kjo marrëveshje të finalizohet.

Lajçak në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e Asociacionit dhe Draftit të dorëzuar nga vetë ai. Emisari i BE-së ka thënë se pyetja rreth implementimit i takon Qeverisë së Kosovës derisa ka shtuar se nuk sheh asnjë arsye që të mos ecet përpara, sidomos pas prezantimit të Draftit të BE-së, që Lajçak potencon se është punuar me shumë kujdes dhe me përkrahjen e Gjermanisë, Italisë, Francës dhe SHBA-së.

Lajçak ka shprehur bindjen e tij se Drafti i BE-së është në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, derisa përmend mundësinë e dërgimit në Gjykatë Kushtetuese, si një siguresë për respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Jam i bindur se draft-statuti evropian respekton plotësisht rendin juridik të Kosovës. Ne kemi pasur parasysh sa më shumë vijat e kuqe të të dyja palëve. Është një mënyrë evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane. Kjo është arsyeja pse unë do të argumentoja se ajo që funksionon për shtetet anëtare të BE-së dhe Këshillin e Evropës – dy organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet – duhet patjetër të jetë e pranueshme për Qeverinë e Kosovës. Për më tepër, procedura e parashikuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 përmban dy “kontrolle sigurie” në lidhje me kushtetutshmërinë e statuteve të Shoqatës/Asociacioni – një fren sigurie, nëse dëshironi. Pas harmonizimit në kuadër të dialogut, ku fillimisht deklaron qeveria, Statuti do t’i referohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim, që do të thotë se fjalën e ka edhe gardiani i Kushtetutës së Kosovës. Kështu që unë ju pyes – çfarë mund të shkojë keq? Si mund të jetë Asociacioni i dëmshëm apo i rrezikshëm për Kosovën nëse fjalën e fundit për Statutin e ka Gjykata Kushtetuese?”, ka thënë Lajçak.

Sllovaku thotë se është i bindur që Asociacioni përfundimisht do të themelohet, meqë Kosova është e obliguar ta bëjë një gjë të tillë në bazë të ligjit ndërkombëtar. Ai thotë se Qeveria s’mund të shmanget në pafundësi për përmbushjen e një detyrimi të tillë.

“Gjithashtu, jam i bindur se përfundimisht Asociacioni do të themelohet sepse Kosova është e obliguar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar. Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjithmonë përmbushjes së këtij detyrimi. Është obligim që qeveria e atëhershme e kishte marrë vullnetarisht në vitin 2013. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë dy të tretash. Edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh (mos)themelimin e Asociacionit si çështje të sundimit të ligjit dhe ka reaguar në përputhje me rrethanat e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pa neglizhuar obligimet tjera në kuadër të dialogut, çështja e Asociacionit është më e madhe se një obligim “i thjeshtë” nga dialogu. Ai pasqyron qasjen e qeverisë ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe sundimit të ligjit”, ka thënë Lajçak.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img