0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Lajçak: Loja ka ndërruar, Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë dritaren e mundësisë sepse s’do të rrijë e hapur përgjithmonë

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut rreth procesit të negociatave mes dy vendeve dhe për letrën që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ia ka dërguar BE-së duke mos e konsideruar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit si ligjërisht obligative.

Lajçak ka thënë se BE-ja e ka thënë qartë që marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër janë ligjërisht obligative dhe ka potencuar se obligimet që dalin nga marrëveshja janë edhe pjesë formale e Kapitullit të 35-të për Serbinë, që nënkupton se janë edhe pjesë e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së.

Emisari sllovak ka thënë se po humbet shumë kohë për të diskutuar diçka që s’është e rëndësishme.

“Sigurisht iu takon palëve që ta caktojnë se çfarë do të thotë normalizimi. Marrëveshja që arritëm në Bruksel dhe Ohër është ligjërisht obligative në tërësinë e saj. Kjo iu është thënë palëve dhe ato janë pajtuar përgjatë takimit në Ohër.

BE e ka thënë disa herë që marrëveshja është ligjërisht obligative. Pjesë të kësaj marrëveshje janë bërë pjesë të kapitullit 35 që i bie se është pjesë formale e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së. Po humbim shumë kohë për diçka që s’është shumë e rëndësishme”, ka thënë Lajçak në Dubrovnik.

Drejtuesi i këtij diskutimi, gazetari i FAZ Michael Martens, e ka pyetur emisarin sllovak nëse aktualisht është duke ndërmjetësuar dialogun derisa BE-ja s’ka asgjë për t’iu ofruar në këmbim dy vendeve. Lajçak lidhur me këtë ka thënë se do të pajtohej me këtë konstatim nëse diskutimi do të bëhej para dy vitesh, por ka shtuar se tashmë loja ka ndryshuar dhe se BE-ja është serioze sa i përket anëtarësimit.

Sllovaku ka përmendur Planin e Rritjes, narrativen zyrtare për anëtarësim gradual dhe reformat për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Emisari i BE-së ka thënë se tashmë ka një dritare të hapur për të gjitha vendet dhe ka motivuar shtetet e Ballkanit Perëndimor ta shfrytëzojnë mundësinë që s’kishte qenë më herët. Lajçak ka potencuar se kjo dritare s’do të qëndrojë e hapur përgjithmonë.

“Do të pajtohesha me ju nëse do të ma bëje këtë pyetje para dy vitesh, por jemi në një lojë tjetër tani dhe z. Kovakoviç e tha. Është një momentum i ri, që erdhi vonë, por është këtu. BE është serioze sa I përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. BE po merr hapa konkretë, Plani i Rritjes është një nga ta, narrative zyrtare për anëtarësim gradual është tjetër, plani i reformave për secilin partner në Ballkan Perëndimor. BE po bëhet gati për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, që s’ka qenë rasti pesë vite më parë. Por kjo dritare e mundësisë s’do të jetë e hapur përgjithmonë. Kemi motivim më të madh për partnerët tonë që ta shfrytëzojnë këtë dritare. Perspektiva e qartë evropiane është prej levave që BE ka. S’ishte këtu, por është këtu tani”, ka thënë Miroslav Lajçak.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img