Site icon PrishtinaPress

Lajçak: Kryeministri i Kosovës do të udhëheqë negociatat me Serbinë, datën e caktojmë pas vizitës në Beograd

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë konferencës për medie në Prishtinë në fund të vizitës së tij të parë në vendin tonë, tha se dialogu me Serbinë, nga pala kosovare do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit.

Lajçak tha se ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Avdullah Hoti, dhe të dy ata i ka informuar për proceset dhe planet në lidhje me rifillimin e dialogut.

“I informova për planet dhe procesin që i kemi para nesh edhe kryeministrin edhe presidentit, nuk iu dhanë kurrfarë ftese por i diskutuam dhe do të dërgojmë ftesën pas vizitës sime në Beograd. Do ta shihni, unë nuk jam këtu për të zgjedhur partnerët. Unë e respektoj faktin se Qeveria është duke e udhëhequr negociatat dhe kryeministri është ai që do të udhëheqë negociatat dhe këtë e kemi diskutuar me kryeministrin. Nuk dua të bëj shpallje apo ndonjë datë, para se ta përfundojë vizitën në Beograd”, tha Lajçak.

Ai tha se është i gatshëm e i përkushtuar të rifillohet dialogu pa vonesa, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë.

“Kam theksuar se Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog dhe dialogu duhet të vendoset mbi politikën, ashtu siç duhet të vendoset edhe integrimi evropian mbi politikën”, tha Lajçak.

Ai u shpreh i lumtur që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është prioritet për Qeverinë e Kosovës, dhe tha se pret që dialogu do të rifillojë së shpejti, ku paralajmëroi një takim javën e ardhshme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version