Site icon PrishtinaPress

Lajçak: Fokusi i BE-së tani s’është te normalizimi, por te menaxhimi i krizës

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri gjatë muajit prill ishin “mina tokësore”, të cilat, siç thotë ai, fatkeqësisht i kemi shkelur.

Lajçaku e ka vlerësuar marrëveshjen e Ohrit, të arritur më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë, si “historike”, por që, siç thotë emisari sllovak, duhet pasur kujdes nga “minat tokësore”.

“Marrëveshja e marsit është një moment historik në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne e dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë ‘mina tokësore’ përgjatë kësaj rruge që ne nuk duhet t’i shkelim. Zgjedhjet lokale të prillit ishin diçka e tillë dhe për fat të keq ne i kemi shkelur ato”, ka thënë Lajçak për austriaken “Kurier”.


Aktualisht, fokusi i BE-së, sipas Lajçakut, nuk është te normalizimi, por te menaxhimi i krizës.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë. Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, duke i vendosur edhe sanksione – ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Exit mobile version