Site icon PrishtinaPress

Lajçak e mbështet heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e bëri me dije se nuk është pro masave të vendosura kundër Kosovës. Ai tha se heqja e tyre është e mundshme dhe se i mbështet personalisht. Por, ky qëndrim duket se nuk është i gjithë BE-së.

Kur Lajçak u pyet në një forum që u mbajt në Budva të Makut të Zi se çfarë do të ndryshojë, ai tha se nuk është mirë që Kosova është nën masa.

“Në rrethanat aktuale nuk është mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së. Dhe kjo është çështja që duhet të adresohet”.

“Heqja e sanksioneve?”, u pyet Lajçak në një panel të Forumit 2BS, që u mbajt në Budva.

“Kjo është njëra nga mundësitë që personalisht i mbështes”, tha ai.

Edhe pse e mundshme sipas Lajçakut, Bashkimi Evropian sot ka përsëritur qëndrimin se masat hiqen kur tensionet bien, përkundër rrethanave të reja që u krijuan nga sulmi terrorist në Banjskë.

Pa konfirmuar nëse është përgatitur ndonjë paketë masash ndaj Serbisë për sulmin në veri të Kosovës, Peter Stano tha se Kosova duhet të zbatojë kërkesat e BE-së për t’u hequr masat.

“Në këtë fazë ne vërtet duhet të shohim, së pari hapa drejt një deeskalimi kuptimplotë; rikthimi në dialog; dhe sa i përket ngjarjeve të 24 shtatorit një hetim të plotë dhe përfundimtar”, theksoi sot Stano.

Exit mobile version