Emisari i BE-së për lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Miroslav Lajçak, ka thënë se dy javët e fundit kanë qenë një vorbull e përpjekjeve diplomatike të fokusuara në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në një postim në Facebook, diplomati sllovak ka treguar se si pas diskutimit që pati me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, ishte nisur për në Beograd për, siç tha, t’u përgatitur për takimin e Kryenegociatorëve të së martës që lamë pas në Bruksel.
“Të martën mblodha Kosovën dhe Serbinë në Bruksel për takime të veçanta. Megjithëse nuk arritëm të biem dakord për agjendën e një takimi trepalësh, diskutuam çështje politike dhe teknike dhe përshkruam hapat e rëndësishëm vijues për të udhëhequr diskutimin tonë të ardhshëm”, tha Lajçaku, raporton Klankosova.tv.
Më tej, lehtësuesi i dialogut thotë se nga Beogradi ka vazhduar për në Paris për t’u takuar me zyrtarë nga Ministria e Jashtme franceze dhe me “mikun tim të mirë Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i presidentit Macron”.
Këto takime, thotë Lajçaku, kishin në fokus zhvillimet më të fundit në dialog për normalizimin e marrëdhënieve, “duke u siguruar që jemi në linjë në rrugën përpara”.
“Pas një ndalese të shpejtë në Bruksel, vazhdova për në Hungari, ku pata mundësinë të flisja për BE-në si një aktor i politikës së jashtme dhe gjithashtu të merrja pjesë nga distanca në një panel të fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tyre evropiane, të cilit iu bashkuan liderë rajonalë”.