Site icon PrishtinaPress

Lajçak deklaroi se pa Asociacion nuk ka marrëveshje, Tahiri i AAK-së: Çështjet e hapura të zgjidhen në përputhje me Kushtetutën

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë të martës theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet.

Madje Lajçak ka nënvizuar se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka as marrëveshje”.

Lidhur me këtë deklaratë të emisarit të BE-së, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Kosova duhet të sillet si shtet serioz.

Në një prononcim për Telegrafin, Tahiri ka shtuar se çështjet e hapura duhet të zgjidhen në përputhje me Kushtetutën.

“Kosova duhet të sillet si shtet serioz. Jemi në prag të arritjes së një marrëveshjeje që i hapë perspektivë Kosovës dhe e mbyll një kapitull të rëndësishëm. Si vend kemi marrë obligime shtetërore dhe nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Çështjet e hapura të zgjidhen në përputhje me Kushtetutën, por çështja kryesore është marrëveshja kornizë e cila tashmë është pranuar”, ka deklaruar Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së, ka shtuar se “mbetet edhe përmbyllja e aneksit si instrument i implementimit të saj dhe unë kam shpresë së do të përmbyllet me sukses”.

Ndaj deklaratës së emisarit Lajçak ka reaguar mbrëmë edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Deklarata e Lajçakut se “nëse nuk ka Asociacion, nuk do të ketë marrëveshje” është përshkrim i punës së tij trevjeçare për dialogun Kosovë – Serbi : i njëanshëm, asimetrik dhe i pafrytshëm”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në një postim në Twitter.

 

 

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.

Plani i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por dy vendet do t’i njihnin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat. Serbia, gjithashtu, nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Plani, po ashtu, u kërkon palëve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Exit mobile version