Zhurma nga kafenetë e klubet e natës, janë ndër ankesat më të shpeshta të banorëve të Prishtinës.
E bashkë me zhurmën, e cila nuk është e rregulluar përmes ndonjë rregulloreje të komunës, problem i madh është edhe orari i punës për gastronomët, sidomos në zonat e banuara.
Për këtë komuna e Prishtinës tashmë ka dalë me projekt rregulloren ku parashihen edhe masat mbrojtëse nga ndotja akustike e po ashtu edhe rregullimin e orarit të punës. Kjo rregullore e cila parashihet të hyjë në fuqi nga 3 janari i vitit 2023, masën mbrojtëse nga ndotja akustike do ta aplikojë 24 orë në ditë.
E ndarë në ditë, mbrëmje dhe natë, masa mbrojtëse nga ndotja akustike do të aplikohen me decibel të caktuar që përfshinë 50 deri në 65 decibel për 3 zona të ndryshme. Në zonën e parë ku përshihet si zonë e pushimit apo rekreacionit, gjatë ditës dhe mbrëmjes do të lejohet zhurma deri në 50 decibel, ndërsa gjatë natës në 40 decibel.
Në zonën e dytë përfshihet zona mikse që përfshihen edhe lagjet, gjatë ditës dhe mbrëmjes do të lejohet zhurma deri në 60 decibel, ndërsa natën 50 decibel. Ndërsa, në zonat industriale, gjatë ditës dhe mbrëmjes 65 decibel, ndërsa natën 55 decibel.
Për të mundësuar aplikimin e kësaj, kryeqyteti do t’ua siguroj lokaleve pajisjet për matjen e nivelit të zhurmës.
Me këtë rregullore do të ndryshohet edhe orari i punës nga ai që ka qenë deri më tani me vendim të ish-kryetarit, Shpend Ahmeti.
“Kafene dhe restorante gjatë verës është 6 deri në ora 24:00, dimrit 7 deri në orën 24:00. Klubet e natës gjatë verës në zonë urbane 24:00 deri në orën 03:00. Në zonë industriale gjatë verës do të jenë të hapura nga ora 24:00 deri në orën 5:00.Dimër në zonën urbane 23:00 deri në ora 2:00, edhe në zonë industriale njësoj. Të tjera që nuk hynë në klubet e natës dhe kafe-bare e kanë orarin 6-24 gjatë verës dhe 7 -24 gjatë dimrit”, tha Sahatçiu.
Ndërsa gjatë verës, nga 15 korrik deri më 15 gusht, gastronomët mund të operojnë 2 orë më gjatë.
Por se sa është e aplikueshme kjo rregullore kanë dyshimet e tyre gastronomet.
Arian Vranica, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, thotë se krahas kësaj rregulloreje që po aplikohet, eksiton edhe ligji për rendin dhe ruajtjen e qetësisë publike.
“Në bazë të ligjit për tregti të brendshme autorizohen nivelet lokale që të përcaktojnë orarin e punës. Ndërsa në bazë të ligjit për qetësinë publike është rregulluar çështja e zhurmës e cila nuk ka qenë e harmonizuar me orarin e punës e cila ka qenë e lejuar deri në ora 10:00 ndërsa punën e kemi pasur të ndamë në dy sezoni, në sezonin e verës dhe sezonin e dimrit. Dhe tani e kemi një rregullore e cila i ka të caktuara dy, përkatësisht e ka edhe orarin e punës edhe zhurmën. Si ekzistojnë autorizimet në pajtueshmëri me ligjin për rendin dhe ruajtën e qetësisë publike sepse nuk kemi parë një autorizim të tillë që i autorizon nivelet lokale, edhe qysh mundet mu bë ky harmonizim pasi këto dyja mbrohen nga ligje të ndryshme. A kemi me pas probleme prapë në Inspektorat që të thirret ligjin për rendin dhe qetësinë publike sepse miratohet në parlament”, tha Vranica.
Ndërsa, gastronomet e tjerë patën sugjerime për ndryshimin e disa pikave brenda rregullores.
E për krijimin e kësaj rregulloreje pajtohen përfaqësuesit e lagjeve të Prishtinës.
Klubet e natës që punojnë pas orës 24:00, do të paguajnë një taksë prej 10 mijë e 950 euro në vit, apo rreth 30 euro për ditë. ndërsa kategoritë e tjera do paguajnë taksë prej 10 euro në ditë, apo 3560 euro në vit. Ndërsa, për të gjithë ata që tejkalojnë zhurmën e përcaktuar, do të ketë edhe gjoba prej 500 deri në 5000 euro../Prishtinapress/