Pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ia mundësoi kandidaturën për kryetar të Prishtinës, Selim Pacollit, partia e këtij të fundit ka gjetur zëvendësimin.
Indeksonline mëson se Gëzim Mehemti, drejtori i infrastrukturës në kryeqytet, do të jetë kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës.
Ndryshe, Pacolli e ka konfirmuar dje duke thënë se ka ndodhur për shkak të një aktvendimi në vitin 2019, ku kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të mandatit.
“Sapo mora lajmin se KQZ nuk do ta certifikojë kandidaturën time për kryetar të Prishtinës. Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit)”, shkroi ai në Facebook.
Ndër të tjera, Pacolli bëri të ditur se kjo vonesë ishte bërë për shkaqe shëndetësore të tij, duke shtuar se do të vazhdojë të mbështesë AKR-në dhe kandidatët e listës për asamble.
Pacolli ka qenë ndër të parët prej pretendentëve që e kishte zyrtarizuar kandidaturën e tij për pozitën e të parit të Prishtinës.
Vlen tw theksohet se kandidatët që do të garojnë për kryetar të Prishtinës janë Arben Vitia nga LVV-ja, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës.