Rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion është ngritur si një shqetësim i madh në vendin tonë. Vetëm në 24 orët e fundit, janë raportuar 84 aksidente në trafik dhe në shumicën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes dhe shkeljes së rregullave, raporton Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe në lagjen Marigona në Graçanicë, ku ndodhi një aksident i rëndë.
Shoferi i një veture, shtetas i Turqisë, e ka goditur një biçiklist, të moshës së mitur, derisa i njëjti ishte duke lëvizur në lagje dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sinjali ka mësuar se shoferi i dyshuar fillimisht është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka shpëtuar nga prangat e Policisë.
Burimet brenda Prokurorisë thonë se bëhet fjalë për Gojsal Kaya, rreth 23-vjeçar, i cili përfundoi në ndalim policor.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari në këtë rast është punëtor i kompanive turke Çalik Holding dhe Limak.
I mituri që u përplas si pasojë e pakujdesisë së tij, është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Ndaj të dyshuarit janë ndërmarrë veprimet e nevojshme me urdhër të Prokurorit të Shtetit, si dhe është iniciuar hetimi.