Site icon PrishtinaPress

Ky është qëndrimi i Grabovcit për demarkacionin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ende nuk e kanë në duar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se këtë javë do të shqyrtohet raporti në qeveri e më pas do të procedohet edhe në legjislativ. Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se votimi do të jetë mbi bazën e bindjeve dhe mendimeve të lira pasi deputetet janë përfaqësues të vullnetit të popullit.

Në një prononcim për Indeksonline, ish-Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, njëherësh deputet nga radha e kësaj partie, Adem Grabovci ka theksuar se çështja e demarkacionit duhet të diskutohet, pas shikimit të dokumentit dhe më pas të votohet ashtu siç secili deputet e sheh të arsyeshme

“Ne ende se kemi parë dokumentin e demarkacionit ai duhet të vijë së pari, ta marrin deputetët ta shqyrtojnë dhe nuk besoj që askush mund të detyrojë ndokënd të votojë në mënyrë të dhunshme. Votimi do të jetë mbi bazën e bindjeve të mendimeve të lira, deputetët janë përfaqësues të vullnetit të popullit, janë të obliguar t’i mbrojnë interesat e qytetarëve dhe Republikës së Kosovës, dhe nuk lejohet që me votën e tyre të dëmtojë ato interesa, por t’i mbrojë. Do ta respektojmë votën e qytetarëve”, ka thënë Grabovci.

Grabovci gjithashtu ka bërë të ditur se kriteri që i është vënë Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave është padrejtësi e radhës nga BE-ja.

“Mund të them që së pari kriteri që i është vënë Kosovës nga Bashkimi Evropian, është padrejtësia e radhës dhe ajo që është edhe më e rëndë padrejtësisht Bashkimi Evropian e ka izoluar Kosovën pasi nuk është Kosova që nuk e meriton liberalizimin e vizave sepse të gjithë jemi angazhuar që të ketë lëvizje të lirë dhe kjo është një element shumë i thjeshtë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Pra Kosova dhe gjithë qytetarët nuk paraqesin kurrfarë rreziku për Bashkimin Evropian që të mbeten të vetmit të izoluar pa e pas të drejtën e lëvizjes së lirë dhe përkundrazi liberalizmi i vizave, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës nuk ndikon në rrezikim por ndikon pozitivisht në rritjen e shkallës së sigurisë për stabilitetin e regjionit dhe më gjerë”, ka shtuar Grabovci, shkruan Indeksonline.

Kurse i pyetur lidhur me deklaratën e deputetes së PDK-së, Safete Hadërgjonaj lidhur me kërcënimet që i janë bërë ky i fundit ka bërë të ditur se kjo gjë nuk ndikon në reputacionin e PDK-së pasi nuk ka mundësi që një kërcënim i tillë të jetë bërë nga PDK-ja.

“Safete Hadërgjonaj nuk e besoj se ka thënë se ka pasur kërcënime nga partia por mund të ketë pas kërcënim prej dikujt tjetër. Ndërsa unë them më shumë përgjegjësi që ende nuk është diskutuar në Partinë Demokratike për çështjen e demarkacionit”, ka thënë Grabovci.

Deputeti Grabovci gjithashtu ka theksuar se viti 2017 do të jetë vit i zgjedhjeve.

“Unë mund të them se ne e dimë që ky vit është vit zgjedhor, kaq mund të them dhe një institucion që nuk mund të merr vendimet e duhura për qytetarët për zhvillimet e procesit atëherë duhet të gjendet një formë që të ecin këto procese përpara”, ka përfunduar Grabovci.

Exit mobile version