Site icon PrishtinaPress

Ky është numri i shqiptarëve të regjistruar në Luginë, Shqiprim Arifi akuzon Qeverinë Kurti!

Nga 1 tetori, në Serbi ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë.

Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë pasur mundësinë të regjistrojnë vetën dhe familjarët e tyre si rezident dhe jo vetëm në këto tri qytete.

Ndërkohë, procesi i regjistrimit, në Preshevë e Bujanoc, është raportuar të jetë duke shkuar mirë.

Kryetari i Komisionit për Regjistrim në Komunën e Preshvës, Hevzi Ramadani deklaroi për Indeksonline se procesi është duke shkuar mirë.

“Në të gjithë territorin e Preshevës sipas azhurimit të bërë sot në ora 18:30 numri i qytetarëve të regjistruar është 45.982. Ky numër i deritanishëm përfshinë banorët rezident dhe jorezident dhe pa dallim nacionaliteti sepse të dhënat se çfarë nacionaliteti i posedon vetëm Enti i Statistikave ndërsa publikohen si rezultate preliminare më së voni 1 muaj pas mbylljes së afatit për regjistrim të popullsisë, që d.m.th deri më 30 nëntor” deklaroi Ramadani.

Ndërkohë, procesi i regjistrimit ka vijuar edhe në Bujanoc.

Zëvendëskryetari i Komisionit për Regjistrim atje, Kastriot Jakupi, njoftoi se deri dje, numri i të regjistruarve është 41.500.

Ai thotë se këto shifra janë më të mira sesa ato krahasuar më 2011, kur edhe u bë për herë të fundit regjistrimi i popullsisë.

“Sipas rezultateve që janë publikuar nga Enti republikan për statistika, në komunën e Bujanocit janë regjistruar dikund rreth 18.000 banorë, mirëpo atë proces shqiptarët e patën bojkotuar sepse nuk janë pajtuar me kushtet e regjistrimit. Këto shifra të sotit janë më të mëdha sepse tani shqiptarët marrin pjesë. Momentalisht jemi të kënaqur me faktin që njerëzit pozitivisht po i përgjigjen ftesës për regjistrim dhe shpresojmë që deri në fund të kemi rezultate edhe më të mira” deklaroi Jakupi.

Mirëpo, për dallim nga këto dy qytete me shumicë shqiptare, në Medvegjë nuk është duke vijuar me të njëjtin hov ky proces.

Sipas Egzona Halimit, banore e Medvegjës, procesi i regjistrimit atje është pezulluar momentalisht.

“Po, ka shumë vendbanime, ka edhe shqiptarë të cilët vijnë rreth 7 herë të regjistrohen dhe është e kotë. Procesi është ngadalësuar sepse një familje për ta regjistruar ju duhen kinse 45 minuta… edhe para disa jave për 3 dite a më shumë nuk ka funksionuar sistemi” deklaroi Halimi.

Marrë parasysh që Medvegja ka më shumë banorë serbë, shqiptarët atje po ndjehen të diskriminuar nga i gjithë ky proces.

Halimi pohoi për Indeksonline se në ditën e parë kur kanë shkuar për regjistrim në shtëpinë e saj, asnjë komisioner nuk ka qenë shqiptar, ndërsa ata nuk pranuan të regjistrohen në gjuhën serbe, pasi që kanë të drejtë të regjistrohen në gjuhën amtare.

Ajo ka shtuar gjithashtu se komisionerët nuk po u përmbahen rregullave të regjistrimit, duke refuzuar të regjistrojnë banorët jorezidentë të Medvegjës.

I tërë ky proces po konsiderohet si jashtëzakonisht i rëndësishëm nga kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Arifi deklaroi se është i kënaqur me këtë proces, përveç vijueshmërisë në Medvegjë. Megjithatë, akoma më i pakënaqur, Arifi është me mosinteresimin e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, lidhur me këtë proces.

“Nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasë asnjë pike interesimi, e njëjtë edhe nga Qeveria e Shqipërisë, në drejtim të regjistrimit. Ka parti opozitare në Kosovë që kanë pasur interesim. Për shembull LDK n’a ka ftuar në bisedë, për të shikuar se çka është e mundshme. Mirëpo, nota për Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, në drejtim të regjistrimit, është zero” deklaroi Arifi për Indeksonline.

Ai përmendi rastin e Qeverisë serbe, e cila ka dërguar me autobusë qytetarët për t’I regjistruar në Kosovë, e që nga institucionet kosovare nuk ka pasur interesim fare.

Arifi tha se nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, ka neglizhencë, për këtë arsye po e shqetëson edhe shpërngulja e shqiptarëve nga Lugina.

Regjistrimi i popullsisë në Serbi do të përfundojë më 31 tetor./Indeksonline/

Exit mobile version