Site icon PrishtinaPress

Ky është njoftimi që e la AKP te objekti i Fabrikës në Zubin Potok ku shkoi me polici

Agjencia Kosovare e Privatizimit sot me asistim të njësive speciale të Policisë së Kosovës kanë qëndruar në Zubin Potok tek objekti i fabrikës “Ivo Lola Ribar”.

Në derën hyrëse të këtij objekti AKP kanë lënë edhe një njoftim në gjuhën serbe, ku thuhet se prona në fjalë është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Lola Alati” në likuidim dhe se është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Gjithashtu është thënë se çdo përpjekje për qasje të paautorizuar në këtë pronë do të konsiderohet vepër penale dhe se AKP do të marrë masat e nevojshme nëse dikush tenton të ketë qasje të paautorizuar në objekt.

“Njoftojmë se kjo hapësirë biznesi është pronë e Ndërmarrjes Shoqërore ” Lola Alati” Zubin Potok ( në likuidim) dhe është nën administrimin e AKP. Çfarëdo përpjekje për qasje të paautorizuar në këtë pronë do të konsiderohet vepër penale dhe për vepra të tilla AKP do të ndërmarrë masat e nevojshme që t’i ndjek personat përgjegjës në pajtim me nenin 414 te Kodit Penal të Kosovës”, shkruan njoftimi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshan ka konfirmuar se sot e kanë asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Zubin Potok dhe se aty kanë shkuar me kërkesë të tyre.

“Ata kërkuan mbështetjen tonë dhe shkuan atje për të kontrolluar se çfarë po ndodh me objektin e tyre dhe njësitë tona dhe Policia e Ndërhyrjes ofruan mbështetje”, ka thënë Elshani./GazetaExpress/

Foto e publikuar nga Kosovo Online
Exit mobile version