Një rast të kanosjes është raportuar ku viktimë ishte kryetari i Komunës së Lipjani, Imri Ahmeti. Personi që dyshohet se kërcënoi Ahmetin, nuk është arrestuar ende, për shkak se i njëjti ndodhet jashtë shtetit.
I dyshuari është 34-vjeçari, Xhevdet Sadiku, shkruan sinjali. Sadiku dyshohet se ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese përmes rrjetit social Viber në adresë të djalit të Ahmetit, por që cak ishte pikërisht kryetari i Lipjanit.
Motivi që shtyu të dyshuarin të bëjë këtë veprim dyshohet se është një projekt ideor që lidhet me disa shpronësime të iniciuara nga Komuna e Lipjanit.
34-vjeçari jeton dhe vepron në Zvicër, prandaj edhe ka qenë e pamundur që të sigurohet prezenca e tij në stacion policor deri në këto momente.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.