Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat e mitura të cilat keqpërdoren seksualisht nga personat të moshës madhore. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe si rezultat një person është ndaluar, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, viktimë është një 14-vjeçare, e cila dyshohet se është dhunuar nga një person gjatë ditës së djeshme në Fushë Kosovë.
Denoncimi i rastit ka aktivizuar Policinë dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari është Adriatik Haziri, 18-vjeçar i cili u arrestua të hënën.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet se ka ndodhur në një banesë në rrugën “Hajrullah Zymi”, ku i dyshuari e kishte dërguar të miturën dhe pa dëshirën e saj, ka kryer marrëdhënie seksuale.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën ‘Dhunimi’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që e kishte dhunuar seksualisht të miturën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”