1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Ky është fillimi zyrtar i ndarjes së VV-së. Ymeri e Molliqaj do t’i marrin 11 deputetë, Shpend Ahmeti u bashkohet pas disa muajsh

Pas dorëheqjes zyrtare të Visar Ymerit nga posti i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka nisur edhe zyrtarisht procesi i ndarjes së kësaj partie.

Burime të “Gazeta Blic” brenda Vetëvendosjes konsiderojnë se ndarja e partisë në dysh është e pashmangshme.

“Dorëheqja e Visar Ymerit zyrtarisht e fillon procesin e ndarjes së Vetëvendosjes”, thotë ky burim i Gazeta Blic.

Gjithnjë sipas këtij burimi, grupi i të pakënaqurve në VV në krye me Dardan Molliqajn e Visar Ymerin pretendojnë që të paktën 11 deputetë t’ia marrin VV-së.

Pos Molliqajt e Ymerit, sipas burimeve të “Gazeta Blic”, deputetët tjerë që do t’i bashkohen këtij grupi janë edhe: Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, dhe të paktën edhe 5 deputetë tjerë.

Ky burim ka saktësuar se edhe të paktën 2 kryetar të komunave, nga tri komuna me të cilët udhëheq VV, do t’i bashkohen grupit të Dardan Molliqajt e të Visar Ymerit. “Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Kamenicës, Qëndron Kastrati do t’i bashkohen grupit të Dardan Molliqajt dhe të Visar Ymerit”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, Shpend Ahmeti pritet që pas disa muajsh t’i bashkohet këtij grupi. Zyrtarisht askush nga VV nuk ka dashur të flas për mundësinë e ndarjes. Ndërkaq, sot në një konferencë me gazetarë, Visar Ymeri e ka bërë publik vendimin e tij për dorëheqje nga kjo pozitë.

Në konferencën e dorëheqjes, Ymeri, kryetari i deritashëm i Lëvizjes Vetëvendosje, vendimin për dorëheqje e ka konsideruar si një prej vendimeve më të vështira të tij.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të dorëhiqem parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje. Më duhet ta them se ky është një prej vendimeve më të vështira që i kam marrë në jetë dhe një prej ditëve më të vështira të jetës sime”, ka thënë Ymeri në konferencën për media.

Tutje Ymeri është shprehur se ka dhënë dorëheqje pas zhvillimeve të fundit në partinë që ai i takon. “Jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime dhe pasi nuk ia dola që t’i zgjidhja këto zhvillime. Shpresoj që kjo dorëheqje do të kuptohet si alarm për gjendjen që kemi ardhur dhe nga ata njerëz që kanë bërë linçime”, tha më tej ai.

‘Shpërthimi’ në Vetëvendosje ndodhi pas publikimit të një komunikimi të brendshëm të deputetëve të VV-së, ku Aida Dërguti e kishte quajtur ‘Mut’ Albin Kurtin.

Pas kësaj që ndodhi, nisën edhe publikisht të dalin pakënaqësitë në partinë më të madhe në vend.

Një pjesë e madhe e anëtarësisë kërkuan shkarkimin e Aida Dërgutit, çka bëri që kjo e fundit të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake.

Ndërkohë, në mbledhjen e Kryesisë që u mbajt pas këtij skandali, Dardan Molliqaj kishte vendosur kushtin e tij të qartë: Nëse kandidon Albin Kurti për kryetar të partisë, atëherë VV përfundimisht do të ndahet.

Nuk shkuan pak ditë, dhe VV e thërret Këshillin e Përgjithshëm ku shpallen edhe zgjedhjet e brendshme në këtë parti.

Në qendër të vëmendjes në këtë mbledhje ishte letra e Albin Kurtit nga burgu, përmes së cilës ua trehoi derën Dardan Molliqajt, Visar Ymerit dhe shumë të tjerëve që nuk u pajtuan qe ai të vijë sërish në krye të VV-së./Gazeta Blic/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img