Site icon PrishtinaPress

Ky është dilleri i arrestuar që shiste drogë në afërsi të shkollave në Ferizaj, kapet me rreth 10 qese marihuanë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një shitës i mundshëm droge ka rënë në prangat e Policisë dje në rrugën ‘Ahmet Kaçiku’ në Ferizaj.

Burime brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari Sufjan Laçi, 22-vjeçar po hetohej që një kohë, nën dyshimet për shitblerje të narkotikëve, në zonat ku qëndrojnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit.

Ai është arrestuar dje dhe gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë i kanë gjetur dhe sekuestruar disa qese me marihuanë.

Lidhur me rastin, po ashtu janë kryer bastisje që rezultuan me sekuestrimin edhe të rreth 10 qeseve me drogë.

Përveç marihuanës, Policia ka sekuestruar edhe qindra euro para të gatshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i riu është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Exit mobile version