Numri i rasteve ku vajzat dhe gratë janë viktima të dhunës psikike, fizike e seksuale ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë.
Ato në hapësira të ndryshme qoftë publike apo private, hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato e për më tepër marrin guximin edhe t’i sulmojnë dhe dhunojnë seksualisht. Kështu i ndodhi mbrëmë një gruaje në Prishtinë.
Brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Enver Kosumi, 41-vjeçar.
E gjithë ngjarja e tmerrshme dyshohet të ketë ndodhur dje pasdite, pasi viktima 42-vjeçare kishte shkuar te shtëpia e Kosumit në fshatin Halabak të Podujevës, për të parë nëse ai ambient është i përshtatshëm për ta marrë me qira.
E 41-vjeçari dyshohet se kishte qëllime tjera, pos të fitonte një qiramarrës për shtëpinë e tij. Ai dyshohet se në një moment ka kapur me dhunë viktimën dhe me të njëjtën ka kryer marrëdhënie seksuale nën përdorimin e forcës.
Të gjithë tmerrin që përjetoi, viktima e rrëfeu para hetuesve policorë në Prishtinë, ku më pas u dërgua edhe për ekzaminime mjekësore.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policorë janë aktivizuar dhe kanë arritur që ta arrestojnë Kosumin në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Prishtinë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunim’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./PrishtinaPress/