Site icon PrishtinaPress

Ky do të jetë ministri i ri i Inovacionit nga PDK

Që nga nesër ministër i ri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë, Fahri Osmani i cili vjen nga dega e PDK-së në Podujevë.

Këtë për Gazetën Blic e ka konfirmuar një burim i lartë brenda PDK-së, i cili nuk ka dashur që të identifikohet.

Ky emërim vjen pas shkarkimit të ministrit të deri tanishëm të Inovacionit, Besim Beqaj.

Fahri Osmani njihet si një nga gjeneratat e reja të PDK-së. Ai për një kohë shumë të shkurtër arriti që t’i aderojë mijëra të rinj llapjanë në partinë e udhëhequr nga Veseli.

Gazeta Blic ka kontaktuar edhe ish- deputetin e Kuvendit, Latif Gashi. Ai ka thënë se këto vendime i merr kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe se e mirëpret secilin vendim të tij.

“Këto vendime i merr kryetari i partisë z. Veseli. Ne e mirëpresim secilin vendim të tij. Është biseduar që një ministër të jetë nga komuna e Podujevës dhe kjo ka qenë iniciativë e Kadri veselit. Nuk ka asgjë zyrtare por e mirëpresim secilin vendim të tij. Në momentin që do të ketë diçka zyrtare, besoj që z. Veseli do të dalë dhe do t’ju informojë lidhur me këtë rast. Unë nuk dëshiroj që të flas për emra përderisa nuk ka diçka zyrtare”, tha ai.

Ndryshe, ky është emërimi i parë në një pozitë të tillë nga Partia Demokratike e Kosovës i cili vjen nga komuna e Podujevës.

Exit mobile version