Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon sot punimet e seancës së fundit plenare, me pikat e papërfunduara.
Në vazhdimin e seancës, pritet të votohen: propozim-rezoluta në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, propozim-rezoluta në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, raporti i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të nenit 11 të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si dhe pritet formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komuniteteve tjera, zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe me votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.
Punimet e Kuvendit do të vazhdojnë me shqyrtimin e dy projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Po ashtu, pritet edhe gjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radha e komunitetit serb.
Në këtë vazhdim të seancës, do të shqyrtohet edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST SH. A. dhe operatorit të sistemit, të transmisionit dhe tregut – KOSTT SH. A.
Në fund, deputetët do të kenë mundësi të shtrojnë pyetje në adresë të ministrave, të mbetura nga seanca e kaluar.