Kuvendi i Kosovës, sot do të fillojë punimet e sesionit pranveror për vitin 2023.
Në seancën e parë do të ketë vazhdime të pikave nga seancat plenare të vitit të kaluar, raporton RTKlive.
Seanca do të fillojë pikat e papërfunduara të 14 tetori 2022: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.
Po ashtu në rend dite janë edhe pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 15, 22, 23 shtator 2022: Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.
Kurse pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7, 24 tetor dhe 18 nëntor 2022 janë: Votimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021./Prishtinapress/