Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026.
Kjo strategji mori 41 vota për, 18 kundër dhe 9 abstenime.
Megjithatë, gjatë diskutimit, pati kritika rreth kësaj strategjie duke e thënë se ka mangësi dhe planifikim jo i mirë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka prezantuar strategjinë e energjisë për periudhën 2017-2026, e cila sipas tij, synon krijimin e një sektori të zhvilluar të energjisë të padëmshëm për shëndetin.
Ai tha se për arritjen e këtij synimi janë bazuar në pesë objektiva strategjike.
“Neni 1, sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësore me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike. Nën 2, integrimi rajonal në tregun e energjisë. Nën 3 rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja. Nën 4, zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror. Dhe nën 5, plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit”, tha Lluka.
Ministri Lluka tha se qeveria do të vazhdoj të përkrah ndërtimin e projektit energjetik të Kosovës së Re.
Mirëpo, deputetja e LDK-së Hykemete Bajrami, tha se kjo strategji ka mangësi të mëdha dhe i mungon orientimi strategjik. Bajrami: Strategjia ka mangësi .
“Një element tjetër që këtë strategji nuk e bënë të saktë është fakti se strategjia është hartuar para se të nënshkruhet kontrata për Kosovën e Re, që nënkupton se shumë elemente të këtij projekti nuk janë të reflektuara në strategjinë 2017-2026. Lidhur me projektin e Kosovës së re, strategjia shihet se nuk ka asnjë element të analizës paraprake për çmimin e përballueshëm të energjisë nga bizneset dhe qytetarët. Kjo mandej na rezulton se kontrata për Kosovën e Re nuk e ka marrë fare parasysh koston sociale të prodhimit të energjisë”, tha Bajrami.
Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka adresuar kritika sidomos rreth ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.
“Me kontratën e fundit midis Qeverisë dhe Fondit Investiv “Contour Global” neve do të na shtrenjtohet energjia, pra do të na rriten faturat në përqindje shumë të lartë sesa edhe ajo shkalla edhe e kthimit në kapital të garantuar për Contour Global-in prej 18.5 për qind nëpërmjet kësaj kontrate qeveria ka marr vendim edhe për qeveritë e ardhshme edhe për brezat e ardhshëm dhe tash na vjen kjo strategji në Kuvendin e Republikës pasi që vendimi kryesor është marr, nuk mund të merret vendimi për një strategji nëse tashmë është marr vendimi brenda një strategjie, pra kjo i bie sikurse ta nxjerrësh qerrën para kuajve, dhe nuk ka kurfar kuptimi që sot të diskutohet këtu për strategjinë e energjisë në Republikën e Kosovës deri në vitin 2026 kur nuk kemi pasur kurfar diskutimi”, tha ai.