Kuvendi i Kosovës të martën miratoi edhe në lexim të dytë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ky Projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore kaloi me 64 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.
Në seancën e sotme, deputetët me 65 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, e miratuan në lexim të dytë edhe Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.
Kuvendi me 65 vota miratoi në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë.
Deputetët në një seancë të jashtëzakonshme paraprakisht, miratuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energji elektrike edhe për 30 ditë./Prishtinapress/