Kuvendi i Shqipërisë, në seancën e sotme plenare, ka miratuar projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024”.
Në nisje të diskutimeve plenare, deputetja e grupit parlamentar socialist, Blerina Gjylameti, paraqiti raportin e komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe propozimet e paraqitura në raportet e komisioneve të tjera të miratuara pas diskutimeve dhe dakordësisë me Ministrinë e Financave.
Gjylameti ndër të tjera nënvizoi nevojën për mbështetjen e disa fushave prioritare dhe me rëndësi për ekonominë e vendit, siç janë: mbështetja e institucioneve të sistemit të drejtësisë, në kuadër të Reformës në Drejtësi; mbështetjen e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025; mbështetjen për funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, etj, raporton Klankosova.tv.
Seanca vijoi me paraqitjen e amendamenteve dhe argumenteve të paraqitura nga deputetët e grupit parlamentar të PS dhe anëtarët e kabinetit qeveritar për secilin prej tyre.
Gjatë parashtrimeve të amendamenteve, deputetët e opozitës pretenduan se qeveria nuk po tregon vëmendjen e duhur ndaj shtresave në nevojë dhe pensionistëve, nuk po tregon vëmendjen e duhur për sektorët e shëndetësisë, bujqësisë dhe arsimit, si dhe nuk po mbështet sektorët prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë diskutimeve, ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh se amendamentet e propozuara nuk janë të mbështetura financiarisht dhe nëse do të miratoheshin do të ndikonin në rritjen e borxhit publik dhe deficitit buxhetor.
Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi nen për nen dhe në tërësi me 75 vota pro, 24 kundër dhe 0 abstenim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”.