Site icon PrishtinaPress

Kuvendi i shkarkoi anëtarin joprokuror, reagon KPK

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), njoftoi se ka përcjellë me shqetësim seancën e sotme të punimeve të Kuvendit të Kosovës.

Me këtë rast, KPK-ja ka konstatuar me shqetësim të thellë se me rastin e shkarkimit të Agron Bekës nga pozita e anëtarit joprokuror të KPK-së, instanca më e lartë legjislative siç është Kuvendi i Kosovës ka bërë shkelje ligjore, sepse institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij.

“Mbi të gjitha, KPK-ja thekson se vendimi i sotëm i Kuvendit të Kosovës është një tentativë e madhe politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të KPK-së, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor. Kjo ndërhyrje pë KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj.

KPK-ja, ka njoftuar opinionin e gjerë se anëtari i KPK-së, Prof.Dr.Agron Beka, ka ofruar një mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkimi joligjor, andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar.

Kjo vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e z.Beka, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite.

KPK-ja vlerëson se anëtari i KPK-së, z.Beka, gjatë angazhimit të  tij në KPK nuk ka pasur asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij dhe asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë, por me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, shpreh bindjen se z.Agron Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i KPK-së dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron. Por tashmë tendenca ka marrë hov dhe shkarkimi i tij është një dëshmi e pamohueshme se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend.

KPK njofton opinionin e gjerë se do të përdorë të gjithë mekanizmat e saj kushtetues dhe ligjor për ta kontestuar këtë paligjshmëri që bëri sot pushteti ndaj KPK-së” thuhet në njoftim.

Exit mobile version