0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Kuvendi i Natës: ‘Marrëveshja’ Kosovë-Serbi përplasi Kurtin me opozitën deri në orët e mëngjesit

Kuvendi është mbledhur mbrëmë rreth orës 22:00 dhe ka përfunduar pas orës 02:00 të mëngjesit. Aty, Kryeministri Kurti është përplasur me deputetët e opozitës, të cilët e akuzonin se ka dështuar për të marrë njohjen, se e ka pranuar formimin e Asociacionit, ka pranuar “ta tejkalojë” historinë, që ka ndryshuar çdo qëndrim, dhe, për shumëçka tjetër. Deputetja Ganimete Musliu po kursehej më së paku. E dikush tjetër e quajti të kotë debatin pasi qytetarët ishin duke fjetur

Kryeministri Kurti ka lënë dje seancën pak para orës 16:00 dhe u tha deputetëve se lirohet në orën 22:00, e atëherë mund të mblidhen edhe njëherë në Kuvend, për të folur rreth propozimit që e ka pranuar për t’i normalizuar raportet me Serbinë. Dhe, kështu ndodhi.

Për më shumë se katër orë, deri në 2 e gjysmë të mëngjesit, Kurti ishte në “bankën e të akuzuarve”. Seanca shkoi pak a shumë kështu: Kryeministri po vetëmbrohej duke u lënë faj opozitës, që të gjithë ishin dikur në pushtet dhe deputetët opozitarë, që po e pyesnin, akuzonin, po i lëshonin video për t’i treguar se sa shumë ka ndryshuar ai në qëndrime karshi dialogut me Serbinë.

“Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë”, tha Kurti në një moment, kur po u kundërpërgjigjej deputetëve opozitarë.

Kryeministri disa herë ka përmendur emrat e deputetëve opozitarë, që kanë votuar pro marrëveshjes së 2013-s me Serbinë, e që tani po e kritikojnë. Kur përmendi emrat, pati edhe huqje për çka edhe kërkoi falje.

“Pra bëhet fjalë për deputetë që e kanë votuar Zajednicën më 2013, por tash më kritikojnë mua, sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht. Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht. Edhe ky ndryshim i përjetuar deklarativisht është rezultat i VV-së. Pa VV-në s’do ta kishim as këtë. S’kam ndryshuar unë, por sytë e juaj. Ju po këqyrni ndryshe tash”, ka thënë Kurti.

I gjendur përballë kritikave që po i vinin nga të gjitha frontet opozitare, Kurti thoshte se, në fakt, vështirësia më e madhe për të është “trashëgimia” që ia kanë lënë ish-pushtetarët e që thotë se po ia përdorin kundërshtarët, pra pala serbe në dialog.

“Dhe të ju them të drejtën në këtë dialogun që jam, ne këto bisedime që po i zhvillojmë nuk kam vështirësi jashtë trashëgimive të ish qeverive. Nuk kam vështirësi. Vështirësitë më të mëdha i kam kur trashëgimia e ish qeverive është argument i kundërshtarëve të mi”, tha Kurti.

Seanca e thirrur për propozimin evropian për marrëveshje bazë me Serbinë, të cilin e ka pranuar Kosova më 27 shkurt, fokusohej kryesisht te çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndonëse në atë propozim, në nenin 10 të tij, thuhet se palët zotohen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më parë, që i be edhe të Asociacionit, Kurti insiston se “Zajednica nuk kalon”.

‘Zajednica’ ka kaluar këtu në Kuvend. ‘Zajednica’ nuk kalon. Nuk ka kaluar në Gjykatë. Nuk ka kaluar në popull. ‘Zajednica’ nuk kalon as në Kryeminstri e as në Qeveri. Por këtu te ju po”, ka thënë Kurti.

Sikurse në seancën e pasditës të së enjtes, disa prej deputetëve janë ndalur te neni 7 i propozimit evropian, ku flitet për “vetëmenaxhimin” e pakicës serbe dhe dhënien e statusit për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se kjo pikë u është vënë përpara dhe në Bisedimet e Vjenës, para shpalljes së Pavarësisë, por thotë se delegacioni kosovar e kishte hedhur poshtë.

“Prandaj, do të ishte jetike që kryeministri Kurti të bisedojë me vendet mos-njohëse se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë kolektive. Shqetësimin kryesor që e kemi pasë gjatë debatit të sotëm ka të bëjë me nenin e 7. Unë kam qenë në negociata në Vjenë. E kemi pasë edhe në Vjenë këtë paragraf, por e kemi hedhë poshtë.”

Opozita pa ndalur i ka përmendur ndryshimin e qëndrimeve të Kurtit, si Kryeministër dhe si opozitar.

Pas fjalës së Kurtit për cështjen e ndryshimit, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha:

“Sapo dëgjuam një përrallë se Kurti s’ka ndryshuar. S’ka ndryshuar njeriu që ka kërkuar ‘jo negociata, por vetëvendosje’. Nuk ka ndryshuar njeriu që ka kërkuar kërkimfalje para dialogut. Ai që ka kërkuar ballafaqime me të kaluarën e që ka përfunduar në tejkalim të historisë. Ai që ka kërkuar njohjen në qendër e ka përfunduar me neutralitet. Njeriu që pati gjashtë kushte e përfundoi me asnjë”, ka thënë Abdixhiku.

Deputeti tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj, përdori një shprehje të njohur të Kurtit, që e kishte thënë kur po kalonte Demarkacioni me Malin e Zi, kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër

“Zajednica, Zajednica, Zajednica… tap kryeministër, e lëshoi bajrakun”.

Sipas deputetës së PDK-së, Blerta Deliut, marrëveshja që e pranoi Kurti, ka shpërfaqur karrierën e tij “të mbushur me mashtrim dhe hipokrizi”.

“Ai ka betejë shumëfish më të madhe. Ka betejë me veten. Albin Kurti tash ka betejë me Albin Kurtin e opozitës”. “Marrëveshja ka shpërfaqur karrierën e Kurtit të mbushur me demagogji, mashtrim, manipulim e hipokrizi”.

Disa përplasje Kurti i ka pasur me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliun. Ajo i lëshoi edhe video të fjalimeve të mëhershme të Kurtit për të treguar sa ka ndryhsuar qëndrime Kryeministri i tanishëm.

Kurti ia përmendte votën pro marrvëveshjes së Asociacionit në vitin 2013, ndërsa Musliu dikur doli edhe te lufta, duke i thënë Kurtit se “ka qenë një frikacak”, që kur i është ofruar nga Ushtria Clirimtare e Kosovës të armatosej dhe të luftonte, ka refuzuar.

“Unë nuk mendoj se deputetja Musliu, me gjithë respektin dhe vlerësimin, duhet të jetë krenare me votimin e 27 qershorit të 2013-s”, ka thënë Kurti.

“Pata me thanë shumë gjëra sot, por sinqerisht, nuk po e di cilit Albin me i folë apo cilit Albin me i bo pyetje. A me i bo pyetje atij Albinit, shokut të Astrit Deharit, Mon Balajt Arben Xheladinit, apo t’i bëjë pyetje këtij Albinit këtu, me jeep-a të zi, i hekurosur, me kollare? Po ndoshta, më mirë me i bë këtij të hekurosurit këtu; Allahile a po të vjen marre kur po e ninë veten?”, ka thënë Musliu.

Në Kosovë, seancat dhe diskutimet politike që bëhen në orë të vonë, tradicionalisht u përdorën pushtetarëe. Edhe këtë, ia përmendi deputetja Musliu kryeministrit.

“A pot kujtohet Albin kur vishe edhe i çojshe krahët si shqiponjë në atë kohë, thoshe ‘po mani seanca natën, po tuteni prej popullit, prej kujt po ikni’. Çka po bën sot ti Albin? Dreqi të hangtë, nuk e le asnjë qershi pa e hangër”, pyeti deputetja, duke e bërë të qeshë edhe vetë Kryeministrin.

Kurti i ka thënë opozitarëve se po ndihet vetëm përballë Serbisë, ndërkaq, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje si Mimoz Kusari, Dimal Basha, po bënin përpjekje për të mos e lënë vetëm Kryeministrin përballë opozitës.

Në seancë iu dha fjala edhe deputetit të VV’së Jahja Koka i cili u vu në mbrojtje të Kurtit ndërsa në një moment kritikoi europianët që s’e kanë mbajtur anën e Kosovës ndërsa komplimenti emisarin amerikan Gabriel Escobar duke e quajtur “engjëll”.

Kur fizikani Koka e përfundoi fjalën Kryeparlamentari Konjufca e këshilloi të përdorë fjalor më pak të komplikuar sepse debati po zhvillohej “në orët e vona”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img