4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat. Deputetet të Listës Serbe lëshuan sallën para kësaj pike të seancës.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se miratimi i rezolutës për Srebrenicës është “veprim fisnik dhe i duhur”. Ai tha se kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sipas tij, duhet të bëhet dënimi i krimeve të tilla gjenocidiale, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëritën në të ardhmen.

Sipas Kurtit, padia për gjenocid ndaj Serbisë, që po përgatit Kosova, do të kontribuojë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë.

“Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë”, tha Kurti.

Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën para se të shënohet përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë. Përkatësisht, të dielën më 11 korrik parashihet edhe varrosja e 19 viktimave të gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Më 8 qershor 2021, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8.000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

Më 17 qershor, Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Parlamenti gjithashtu shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Serbisë janë dy rezoluta në lidhje me Srebrenicën. Në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse tjetra si gjenocid. Diskutimi mbi rezolutat ende nuk është futur në rend të ditës atje.

Maqedonia e Veriut ka miratuar rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 2010.

Ndërsa Shqipëria deri më tani nuk ka miratuar ndonjë rezolutë të ngjashme.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img