0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Kuvendarët e Gjilanit miratuan në një seancë të jashtëzakonshme buxhetin për vitin 2024

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, sot në një seancë të jashtëzakonshme, me 33 vota ka miratuar buxhetin për vitin 2024, pasi muajin e kaluar kishte dështuar ta bënte këtë.

Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, tha se seanca e sotme është thirrur me kërkesë të kryetarit të Komunës dhe në rend dite ka një pikë të vetme – miratimin e propozim-buxhetit për vitin 2024.

Fillimisht opozita (LDK, PDK, Vatra), e cila e ka shumicën në Kuvend, ka kundërshtuar propozim-buxhetin e ofruar, me arsyetim se është i planifikuar keq dhe miratimin e tij e ka kushtëzuar me përfshirjen në buxhet edhe të një numri të projekteve, të cilët i kanë prezantuar Avdyl Aliu (LDK) e Bujar Nevzati (PDK).

Pas një takimi me shefat e grupeve të këshilltarëve, në një pauzë të seancës, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka njoftuar se është arritur dakordimi që në planifikim të buxhetit t`i fusim edhe disa prej kërkesave të tyre.

Për lumin Mirusha do të ndahen mjete ashtu siç u kërkua, po ashtu edhe për ‘fshatin e lumtur’, derisa për subvencionimin e regjistrimit të fëmijëve në çerdhet private, do të ndahen 50 mijë euro këtë vit, kurse pjesa tjetër – në vitin e ardhshëm (kërkesa këto të LDK-së në vlerë ), ka thënë kryetari Hyseni.

Sa u përket kërkesave të PDK-së, kryetari Hyseni ka thënë se shuma prej 320 mijë euro do të dedikohet për rrugën dhe infrastrukturën tjetër te varrezat e reja të qytetit, pasi të hartohet projekti, sikurse do të ndahen mjetet e planifikuara edhe për rrugën nga Muhaxherët e Malishevës deri në Vërbicë të Kmetocit, derisa për hartën zonale, ekzistojnë mjetet në kategorinë mallra dhe shërbime dhe nuk ka nevojë të ndahen mjete tjera.

Njëherësh, opozita ka kërkuar që të gjitha projektet e planifikuara për këtë vit e që kanë dështuar të realizohen, të përfshihen në buxhetin 2024.

AAK-ja nuk e ka kushtëzuar votën e saj për buxhetin 2024, por Nazim Gagica ka thënë se ky buxhet nuk i adreson nevojat dhe sfidat e qytetarëve.

Përndryshe, buxheti i planifikuar për vitin 2024 është 34.221.119 euro. Nga grandet sigurohen 27.646.694 euro, kurse pjesa tjetër, 4.952.585 euro – nga të hyrat vetanake. Nga ky buxhet, për paga dhe mëditje do të shfrytëzohen 15.980.563 euro, për mallra dhe shërbime – 6.721.932 euro, për shpenzime komunale – 680.081 euro, për subvencione – 1.757.592 euro dhe për shpenzime kapitale – 9.080.949 euro.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img