Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankesën e GP të LDK-së rreth ligjit të Qeverisë për çmimin tavan.
Abdixhiku tha se Kushtetuesja, “siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë”, “hodhi poshtë edhe një ligj, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë”.
“Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën”, tha Abdixhiku, deputet i LDK-së.
Ai tha më tej se “kryeministri e ministrat rend mburreshin me këtë ligj. Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë”.
Kreu i LDK-së tha se i kanë treguar pushtetit se ai ligji nuk bën, e madje edhe si të bëhet, por se të njëjtit, sipas tij, “nuk kuptuan” e as nuk dëgjuan”.
Ai tha se pret nga pushteti se do të ankohen ndaj këtij aktgjykimi.
“Çfarë mend kanë, do të ankohen – sikurse deri më tani – se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre”, deklaroi Lumir Abdixhiku.
Për këtë aktgjykim ka folur edhe deputeti tjetër i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Ai tha se LDK-ja beson në ekonominë sociale të tregut, në konkurrencën e lirë e në iniciativën private për prosperitet e zhvillim.
“Sistemet e komanduara kanë dështuar. Ata që tentojnë t’i ringjallin lodhen kot”.
“Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg”, u shpreh Hoti.