Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe lidhur me formimin e qeverisë së Kosovës, përkatësisht zgjedhjen e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal që nuk ishte nga komuniteti serb.
Përmes vendimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se zgjedhja e ministrit nga komunitetet tjera joshumicë nuk është në kundërshtim me kushtetutën, raporton Gazeta Express.
“Gjykata përfundimisht sqaroi që bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë. Në rrethanat e rastit konkret, kandidati i propozuar për Ministër ishte deputet i Kuvendit dhe për pasojë miratimi formal i tij nuk ishte detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që detyrimi për konsultimin e “komunitetit në fjalë” nuk ishte shteruar. Prandaj, Gjykata konstatoi që, Vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e kushtetueses.
Vendimi i plotë i Kushtetueses:
Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 24 shtator 2021, Gjykata shqyrtoi kërkesën KO 61/21 të parashtruar nga Slavko Simić dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në kërkesën KO 61/21, objekt i çështjes së shqyrtimit ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës [nr. 08/V-005], të 22 marsit 2021, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan që Vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhje me nenin 96 [Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve] të Kushtetutës, sepse Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është zgjedhur pas konsultimit të shumicës së deputetëve të cilët përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës.
Çështja kryesore që ngërthen ky rast ndërlidhet me mënyrën e caktimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Qeveri. Para Gjykatës, nuk ishte kontestuese mënyra e caktimit të një (1) Ministri që caktohet detyrimisht nga komuniteti serb; ose një (1) Ministri që caktohet detyrimisht nga komunitetet tjera jo shumicë, por caktimi i ministrit të “tretë” në Qeveri nga komunitetet jo shumicë, që është detyrim kushtetues në rast se Qeveria përbëhet nga më tepër se dymbëdhjetë (12) Ministri. Lidhur me këtë, parashtruesit e kërkesës pretenduan se për caktimin e ministrit të “tretë” në Qeveri është i nevojshëm konsultimi/miratimi nga shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvend, përkatësisht nga të paktën njëmbëdhjetë (11) nga njëzet (20) deputetët që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë.
Gjykata Kushtetuese theksoi se, për qëllime të kushtetutshmërisë së përbërjes së Qeverisë, bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, në Qeveri duhet të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti serb dhe një (1) Ministër nga komunitetet e tjera jo shumicë. Mënyra e zgjedhjes së këtyre Ministrave dallon varësisht nëse kandidati i propozuar për Ministër është deputet i Kuvendit ose jo. Për caktimin e një kandidati për Ministër nga radhët e deputetëve të Kuvendit, është i nevojshëm konsultimi me partitë, koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Ndërsa, për caktimin e një kandidati për Ministër jashtë radhëve të deputetëve të Kuvendit, është i nevojshëm miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë. Gjykata Kushtetuese gjithashtu theksoi se, Kushtetuta përcakton që në rast se përbërja e një Qeverie ka më shumë se dymbëdhjetë (12) Ministra, Qeveria duhet të ketë edhe një Ministër të tretë, “i cili përfaqëson një nga komunitetet jo shumicë në Kosovë”. Gjykata tutje theksoi se, për sa i përket Ministrit të tretë, Kushtetuta i mundëson diskrecion mandatarit për Kryeministër përkitazi me radhët e komuniteteve përkatëse, nga të cilët mund të zgjidhet një Ministër i tretë, duke mos përcaktuar detyrimisht që ky Ministër duhet të propozohet/miratohet nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë, por duke kërkuar që të ndiqet procedura e njëjtë përkatësisht konsultimi/miratimi i “komunitetit në fjalë”, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend në kuptim të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës dhe i cili është propozuar për këtë pozitë në konsultim me deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë në Kuvend. Duke marrë parasysh që kandidati përkatës ishte deputet i zgjedhur i Kuvendit, miratimi formal nga komuniteti në fjalë nuk është detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që deputetët që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë nuk ishin konsultuar në propozimin e këtij kandidati për Ministër, përkundër faktit që Gjykata u kishte mundësuar që të paraqesin komentet e tyre lidhur me kërkesën e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës. Gjykata përfundimisht sqaroi që bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë. Në rrethanat e rastit konkret, kandidati i propozuar për Ministër ishte deputet i Kuvendit dhe për pasojë miratimi formal i tij nuk ishte detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që detyrimi për konsultimin e “komunitetit në fjalë” nuk ishte shteruar. Prandaj, Gjykatakonstatoiqë, Vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës.