Site icon PrishtinaPress

Kushtetuesja i hap rrugë Blerim Isufajt për dekretim si kryeprokuror i shtetit

Përmes një vendimi që e bëri publik të premten pasdite, Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë Blerim Isufajt për dekretim si kryeprokuror i shtetit.

Kundërkandidati i Isufajt, Shqipdon Fazliu më herët i është ishte drejtuar Kushtetueses me pretendimin se “vendimi i Këshilli Prokurorial për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Kurse Gjykata Themelore, Apeli e Supremja patën vendosur që padia ishte e pasafatshme dhe këtë e ka konstatuar edhe Kushtetuesja. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se aktgjykimi i Supremes, ndërlidhur me aktvendimin e apelit dhe të Themelores, nuk janë në kundërshtim me “Të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [ARJ.nr.114/2022] i 23 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktgjykimi i Gjykatës sqaron që në rrethanat e rastit konkret, para Gjykatës janë kontestuar vendimet e lartcekura të gjykatave të rregullta, të cilat kanë refuzuar si të pasafatshme padinë për inicimin e konfliktit administrativ të parashtruesit të kërkesës kundër vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK), të 6 prillit 2022, lidhur me propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Më gjashtë prill të vitit të kaluar, Blerim Isufaj, që drejton Prokurorinë Speciale të Kosovës, u zgjodh nga Këshilli Prokurorial, për t’u bërë kryeprokuror i Shtetit

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Nga zyra e Presidentes kanë thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga ana tjetër nga KPK-ja presin që procesi i dekretimit të kryeprokurorit të shtetit të trajtohet me urgjencë.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të kryeprokurorit të Shtetit.

 

 

Exit mobile version