4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kushtetuesja e rrëzon reformën e pushtetit në drejtësi, Ministrja e ‘rrëzon’ aktgjykimin e Gjykatës

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë përpjekjen e Qeverisë për ta reformuar sistemin e drejtësisë, ndër tjerash, duke ua ndërprerë mandatin prokurorëve. Sipas instancës më të lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, kjo do të kishte pasoja edhe në rendin demokratik e sundimin e ligjit në vend.

PDK-ja dhe LDK-ja që e kishin çuar këtë ligj në Kushtetuese e konsideruan vendimin si triumf ndaj kapjes së drejtësisë dhe kërkuan shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit e kundërshtoi aktgjykimin me akuza ndaj Gjykatës dhe duke theksuar se nuk do të ndalen.

 

Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thoshte se i hapë rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë, është shpallur i pavlefshëm të premtën pasdite nga Gjykata Kushtetuese.

Disa nene të këtij ligji janë vlerësuar se janë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas aktgjykimit, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Pupullit, barazinë para ligjit e nenin për Këshillin Prokurorial.

Më saktë, ligji i kontestuar u vlerësua se nuk bie ndesh me Kushtetutën e vendit fillimisht në çështjen e kompetencës që i jep Avokatit të Popullit për ta zgjedhur një nga anëtarët jo-prokurorë të KPK-së.

Aktgjykimi sqaroi se as mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën. Ajo e ndërvarte vendimmarrjen e KPK-së me vullnetin politik të shumicës së deputetëve në Kuvend, pasi ata përcaktohej se do t’i zgjidhnin me shumicë të thjeshtë anëtarët jo-prokurorë të këtij institucioni.

“Gjykata thekson që një zgjidhje e tillë, nuk është as në përputhje me Opinionet e Komisionit të Venecias, as me pavarësinë kushtetuese të garantuar për Këshillin sipas paragrafit 1 të nenit 110 të Kushtetutës, as me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet demokratik. Për pasojë, Aktgjykimi sqaron që mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së Këshillit sipas Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në paputhshmëri me Kushtetutën u shpall edhe mënyra e përcaktuar e vendimmarrjes së KPK-së, sipas ligjit.

Sipas ligjit, përcaktohej që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjejes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.

Në këtë pikë, Kushtetuesja përmend opinionin e Komisionit të Venecias, duke thënë se “përfundimi i parakohshëm i mandateve duhet të jetë gjithmonë i lidhur me një shkelje të identifikueshme ose dështim në kryerjen e detyrës të anëtarit përkatës dhe të ndjek bazën, përfshirë procedurën kushtetuese/ligjore për shkarkim apo përfundim të mandatit sipas së cilës janë fituar” sepse në të kundërtën, “ndërprerja e mandateve të institucioneve kushtetuese, do të mund të varej në vazhdimësi nga preferencat e pushtetit ekzekutiv dhe/ose legjislativ”.

“Aktgjykimi përfundimisht thekson që ndërprerja e mandateve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial sipas Ligjit të kontestuar, nuk mund të shërbejë as si arsye bindëse për një “përmirësim të dukshëm të sistemit” e që mund t’i shërbente një qëllimi legjitim e proporcional, mbi bazën e të cilit do të mund të autorizohej përjashtimisht ndërprerja e mandateve të një institucioni të pavarur kushtetues, duke krijuar kështu një precedent me pasoja në sigurinë dhe pavarësinë e ushtrimit të funksionit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe rrjedhimisht, edhe për rendin demokratik dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në fund, Gjykata vlerësoi se “marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Haxhiu e ‘rrëzoi’ akrgjykimin e Kushtetueses, tha se s’do të ndalen

Me të dalë njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e këtij aktgjykimi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e thirri një konferencë për media të nesërmen, nga e cila e kontestoi këtë vendim.

Gjykatën që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë dhe arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese, ministrja e akuzoi të shtunën për “interesa individuale”.

“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’u ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe jo i të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë Haxhiu.

Ajo shkroi edhe në Facebook, ku e cilësoi këtë vendim si “goditje e madhe për Republikën e Kosovës dhe për rrugën që kemi para vetes”. Haxhiu tha se nuk do të ndalen.

“Sot edhe çdo ditë tjetër e jona në Qeveri, do të jetë në shërbim të reformave prandaj edhe i garantojë qytetarët, se reformat tona në drejtësi mund të na i sabotojnë, vonojnë, por assesi t’i ndalojnë. Siç 14 shkurti është moment i pakthyeshëm ashtu janë edhe reformat që kemi nisur”, shkroi ministrja.

KPK e mirëpriti vendimin e Kushtetueses dhe i reagoi Haxhiut

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke i quajtur të pamatura dhe joserioze deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

KPK tha se aktgjykimi i Kushtetueses “vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë”.

“Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese”, thuhet ndër tjerash në reagimin e KPK-së.

PDK-ja dhe LDK-ja shënuan fitore, kërkuan shkarimin e ministres

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë opozitare që më 1 korrik 2022 e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial, thanë se e mbrojtën kapjen e drejtësisë nga pushteti.

“Synimi i Qeverisë dhe kryeministrit Kurti ka qenë i qartë. Cënimi i integritetit dhe profesionalizmit të Këshillit Prokurorial të Kosovës – në kuadër të fushatës së tyre për të nënshtruar të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Fatmirësisht, përmes vendimit të saj, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë në argumentimin tonë dhe e rrëzoi këtë vendim si antikushtetues. Ky zhvillim përbën një lajm të mirë për drejtësinë dhe për pavarësinë e Zyrës së Prokurorit të Shtetit, të cilën zyre, Albin Kurti u përpoq ta vendosë nën diktatin e tij, e që me vendimin e djeshëm, dështoi që ta bëjë një gjë të tillë”, tha në një konferencë për media të shtunën kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

LDK-ja e quajti këtë dështimin e radhës të Qeverisë “për kapje të shtetit” dhe kërkoi shkarkimin e ministres Haxhiu.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë.Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”, u tha në një komunikatë për media të lëshuar nga kjo parti.

E pyetur për kërkesat për lartimin e saj nga posti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha në konferencën për media se kjo ndodh për shkak të seriozitetit të saj “për të vazhduar me reformat në drejtësi”.

“Më vjen keq për ta, por duhet t’i dëshpëroj që nuk do të ndalemi”, ka thënë Haxhiu.

Paralajmërimi i Venecias

Problemet në përgatitjen e Ligjit për Këshillin Prokurorial i kishte evidentuar herët Komisioni i Venecias, organizmi këshillues mbi çështjet kushtetuese, i njohur ndërkombëtarisht.

Komisioni i Venecias në fund të vitit 2021 i kishte hedhur poshtë dispozitat kryesore të atëherë Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës që po përgatitej nga Qeveria. Në opinionin e tij, ishte konsideruar i rrezikshëm plani i Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Komisioni i Venecias thoshte se se reforma që Qeveria planifikonte ta bënte në sistemin prokurorial nuk duhet të çonte në nënshtrimin e Këshillit Prokuorial ndaj shumicës qeverisëse.

“Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj mazhorancës qeverisëse. Projekt amandamentet propozojnë që të gjithë anëtarët e pavarur të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në dhe duhet rishqyrtuar”, thuhej ndër tjerash në opinionin e Komisionit të Venecias.

Aty theksohej se duhet të sigurohet që komponenti bazë i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse në Kuvend, nuk do të mund të udhëheqnin të vetëm.

Organi që interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit, i konsideronte të panevojshme propozimet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës për ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial.

Të rrezikshme për pavarësinë e Prokurorisë, Komisioni i Venecias i cilësonte edhe dispozitat që parashikonin përfundimin e parakohshëm të mandateve të anëtarëve të KPK-së.

“Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve aktualë të KPK-së, dhe duke lejuar KPK-në e ripërtërirë të funksionojë vetëm me anëtarët e pavarur në përbërjen e saj, janë të rrezikshme për pavarësinë e prokurorisë dhe duhet rishikuar. KPK-ja e re mund të fillojë të funksionojë vetëm kur të gjithë anëtarët janë zgjedhur”, thuhej ndër tjerash në opinionin e Komisionit të Venecias.

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës kaloi në Kuvend më 23 qershor të vitit të kaluar.

Duke i falënderuar deputetët për votimin, ministrja Haxhiu thoshte se “miratimi i këtij projektligji i hap rrugën reformave të mëdha në sistemin e drejtësisë”./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img