Site icon PrishtinaPress

“Kushtetuesja e ndikuar nga politika, po i dëmton palët në stërzgjatje të rasteve”

Njohësit e çështjeve kushtetuese, konsiderojnë se institucioni më i lartë në vend, Gjykata Kushtetuese po i dëmton palët duke i vonuar trajtimin e rasteve me vite të tëra.

Ata thonë se kjo praktikë është e dëmshme për vetë institucionin më të lartë në vend, me ç’rast thonë se trajtimi i një lënde po merr kohë me vite.

Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se jo vetëm ky institucion, por edhe gjyqësori thotë se shpesh herë vonohen në trajtimin e rasteve, teksa e quan sindrom të kosovarëve.

Por sipas Baraliu, themelimi i Gjykatës Komerciale do të jetë ndihmesë e madhe për trajtimin e lëndëve biznesore, që sipas tij palët e interesuara do t’i adresohen kësaj Gjykate.

“Është sindrom i yni mosefikasitetit, mospunës së duhur dhe papërgjegjësisë, për arsye se janë afatet e caktuara dhe secili institucion, qoftë ai i drejtësisë Kushtetuese apo institucioneve gjyqësore të rregullta, do duhej që ta merr me përgjegjësi punën dhe brenda afateve ligjore të kryhen obligimet e tyre para qytetarit. Ne kemi vonesa në gjyqësi nga 20 deri në 40 vite, pra është e paimagjinueshme dhe e patolerueshme që vonesat e tilla që do të thotë se një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar”, u shpreh ai.

“Është bërë themelimi i Gjykatës Komerciale për të përforcuar tempon dhe trendin e zgjidhjes së lëndëve ekonomike apo në biznes, por kjo nuk mjafton, por që do duhej që të kemi edhe një Gjykatë administrative sepse pjesa dërrmuese e problemeve janë të natyrës administrative por edhe Kushtetuesja pa asnjë hezitim nuk e vrasin mendjen, vonohen dhe jashtë afatit vendosin”, u shpreh Baraliu.

Baraliu hedh akuza edhe në drejtim të partive politike, për të cilat thotë se kanë ndërhyrë shpesh në Kushtetuese.

Madje sipas tij, ka pasur edhe marrëveshje pozitë e opozitë për të përzgjedhur anëtarë të këtij institucioni.

“Patjetër, që nga themelimi i saj dhe kurdo që ka pranuar gjyqtarë ose anëtarë të saj, ajo (Kushtetuesja) ka qenë e ndikuar, madje mos them edhe e interferuar e manipuluar politikisht nga subjektet politike”.

“Jo rrallë herë ka pasur marrëveshje joparimore ndërmjet subjekteve opozitare me subjektet në pushtet për kandidatët të caktuar të tyre, të cilët kanë dalë edhe nëpër mitingje partiake dhe kanë pasur pozita të gjyqtarëve por mbase edhe më të larta. Pra po ndikimi politik dhe interferimi politik ka qenë dhe është i pranishëm, gjë që nuk do duhej të ndodhte”, u shpreh ai.

Njëjtë mendon edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai thotë për Ekonomia Online, se vonesat në këtë drejtim, po ndodh si shkak i lëndeve nëpër Gjykatat e rregullta.

“Fatkeqësish kjo Gjykatë (Kushtetuese) ka filluar të ballafaqohet me numër të madh të lëndëve, ku mund të themi se edhe qytetarët për çështje të thjeshta kërkojnë ndihmën nga kjo gjykatë, mund të themi se po u marrin kohë së paku një vit për t’i trajtuar lënda e tyre. Në këtë drejtim besoj se është si rezultat i lëndëve në Gjykatat e rregullta”, u shpreh Miftaraj.

“Unë besoj se kjo Gjykatë të bëjë një analizë të punës së saj dhe një analizë të asaj se çka mund të ndërmerret për të shkurtuar afatin e trajtimit të lëndëve që vijnë nga qytetarët”, tha tutje Miftaraj./Prishtinapress/

Exit mobile version