Një ditë pasi autoritetet në Serbi thanë se po shqyrtojnë dërgimin e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, nuk dihet shumë nëse dhe në çfarë mënyre do të mund të bëhej një gjë e tillë.
Në përgjigje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë kurrë më policë dhe ushtarë të Serbisë”.
Me paralajmërimin e tyre, autoritetet në Beograd iu përgjigjën pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila ësht
Deri te kjo erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq,përsëriti të premten atë që tha një ditë më herët shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq – se Serbia ka të drejtë të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.
Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.
Pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me paralajmërimet për dërgimin e forcave serbe në Kosovë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk iu përgjigjën.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë. Dy vendet, qysh në vitin 2011, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Kërcënim me agresion”
Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rezoluta 1244, por edhe aktet kushtetuese të Kosovës tregojnë qartë se Serbia nuk mund të ketë forca të sigurisë në Kosovë.
“Në aspektin juridik kushtetues, Kosova ka integritet të plotë territorial, të garantuar me deklaratën e pavarësisë dhe me Kushtetutën e saj, e të konfirmuar me opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çfarëdo provokimi i Serbisë për dërgimin eventual të trupave serbe është një kërcënim me agresion kushtetues”, thotë Bajrami.
Sipas tij, Rezoluta 1244 ka mandatuar forcën multinacionale të KFOR-it për të garantuar kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës.
Bajrami kujton, po ashtu, se me Marrëveshjen e Kumanovës, Serbia ka pranuar tërheqjen e plotë të forcave të saj nga Kosova dhe thekson se nuk ka asnjë të drejtë për dërgimin e forcave serbe në Kosovë.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Çuni, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se “asnjë e drejtë politike, juridike, morale dhe historike nuk është në favor të angazhimit të forcave serbe në Kosovë”.
“Jo forcë, por asnjë ushtar serb i vetëm nuk ka të drejtë të shkelë në territorin e Kosovës”, thotë Çuni.
“Deklaratë populiste, por e rrezikshme”
Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar të Beogradit për Politika Strategjike, thotë për REL-in se Serbia nuk mund të vendosë vetë se kur do të dërgojë trupa në Kosovë.
Sipas tij, një vendim i tillë nuk mund të shqyrtohet pa KFOR-in dhe OKB-në.
“Është një deklaratë populiste e drejtuar kah opinioni i brendshëm politik, por mjaft e rrezikshme. Ajo zgjon të gjitha instinktet nacionaliste të popullit tonë”, thotë Lluniq.
Misioni i KFOR-it nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si i komenton paralajmërimet nga Serbia.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike me seli në Beograd, thotë se “nuk është e ndaluar” që dikush të shqyrtojë diçka, por se në këtë rast “nuk është e dëshirueshme”.
“…sepse mund dhe tashmë po shkakton pasoja më të gjera – edhe te njerëzit, duke nxitur drejtpërdrejt frikën e luftës, edhe tek akterët ndërkombëtarë që merren me Ballkanin Perëndimor”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në Kosovë u krijua një “realitet i ri”.
Që atëherë, thotë ai, janë nënshkruar “një sërë dokumentesh”, si me Bashkimin Evropian, ashtu edhe me NATO-n, me të cilat “është rregulluar kufiri”.
Janjiq thotë se dështim i BE-së është se që nga viti 2011, kur kanë filluar negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, e deri më sot, “ka refuzuar të vendosë në agjendën e dialogut një paketë të sigurisë, e cila do t’i përcaktonte qartë kanalet e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë”.
“Marrëveshja e Brukselit thotë vetëm një gjë – të cilën Serbia ka filluar ta shkelë – ‘të integrohen strukturat e ndryshme të sigurisë në sistemin e Kosovës’. Nuk ka pasur konsistencë nga ana e BE-së në monitorimin e zbatimit të kësaj”, thotë Janjiq.
Me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013, është përcaktuar se në Kosovë do të ketë një forcë të vetme policore, të quajtur Policia e Kosovës, dhe se e gjithë policia në veri të Kosovës do të integrohet në kornizën e Policisë së Kosovës.
Në fillim të nëntorit, serbët nga veriu i Kosovës – të mbështetur nga Beogradi – janë larguar nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar targat e paligjshme serbe me targat që i lëshon vetë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të premten, shprehën shqetësim për situatën në veri, ndërsa partitë opozitare kërkuan nga Qeveria që të jetë e përgjegjshme për veprimet që i ndërmerr.
Ata gjithashtu kërkuan që Qeveria të koordinojë çdo veprim me Shtetet e Bashkuara./REL