Site icon PrishtinaPress

Kush shkon nesër në takim te Kryeministri Avdullah Hoti – flasin nga partitë politike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është duke tentuar ta bashkojë pushtetin e opozitën para shkuarjes në Uashington, ku do të ketë takim me zyrtarët e Serbisë. Shefi i Qeverisë që thotë se është kryesori në dialog, megjithatë s’po arrin t’i bindë të gjithë. LVV’ja se njeh si legjitime qeverinë Hoti, e rrjedhimisht si shkon në takim, derisa, PDK’ja ende s’ka marrë qëndrim.

Partitë tjera i thanë Gazetës Express se do të shihen nesër me shefin e Qeverisë.

Pas njoftimit se Kosova dhe Serbia do të ulen pas dy vitesh në tavolinë të dialogut, këtë herë me ndërmjetësimin e Amerikës, pati deklarata të liderëve të shtetit, lidhur me atë se kush do të jetë kryenegociatori.

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti e ka përsëritur vazhdimisht se ai do të udhëheq Kosovën në bisedime, duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë cështje. Madje, Hoti është duke tentuar që para se të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, të bashkojë në një takim opozitën dhe pozitën.

Për të bashkërenduar qëndrimet e spektrit politik në vend, Hoti i ka ftuar për nesër në takim në ora 11:00 në zyrën e kryeministrit të gjithë liderët e partive.

Të parët që reaguan për këtë temë ishin nga partia e ish – kryeministrit Albin Kurti. Në LVV thonë se nuk i shkojnë në takim kreut të një qeverie që nuk është legjitime.

“Kjo qeveri është e paligjshme. S’ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takim as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisin”, kanë bërë të ditur sot nga LVV’ja.

Gazeta Express ka pyetur edhe në partinë tjetër opozitare, PDK’në, nëse do të shkojnë në takimin e nesërm. Deri në momentin e publikimit të lajmit, në partinë e Kadri Veselit nuk kanë kthyer përgjigje të pyetur për këtë çështje.

Derisa opozita nuk është e bashkuar sa i përket qëndrimeve karshi qeverisë Hoti, e me theks të veçantë dialogun, se a do të marrin pjesë nuk është vendosur as në partinë që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.

Vesel Makolli ka thënë për Gazetën Express se me të marrë ftesë për takim, të njejtën do ta shqyrtojnë në organet e partisë.

“Parimisht ne jemi për unitet të gjithë spektrit politik, kur kemi të bëjmë me cështjet jetime për vendin. Biskedimet me Serbinë nën patronatin e SHBA’së dhe aletatëve tonë duhet te mbështeten nga të gjithë, pozitë dhe opozitë”, ka thënë Makolli, duke shtuar se duhet të lihen anash inatet politike në mëyrë që delegacioni të jetë sa më i përgatitur.

Të sigurtë se do të shkojnë në takimin e nesërm kanë qenë partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës.

Nga AAK’ja për Express kanë deklaruar se kreu i partisë, Ramush Haradinaj do të merrë pjesë dhe do të kontribojë për interesin e shtetit.

“Aleanca nuk ka refuzuar që të marrë pjesë në takime që janë për interesin e vendit. Jam shumë e sigurt që kryetari i partisë jo vetëm që do të marrë pjesë po në këto takime do të kontribojë për interesin e vendit”, ka thënë deputetja Teuta Haxhiu.

Edhe nga Nisma Socialdemokrate i kanë thënë gazetës se nesër kryetari i partisë, Fatmir Limaj do të shkojë në takim.

Me datë 27 qershor, i dërguari amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka deklaruar se Kosova dhe Serbia do të ulen në tavolinë të diskutimeve. Në rast se dy shtetet nuk dakordohen për marrëveshje, atëherë mund të vendosin që të rikthehen në status quo.

Exit mobile version