Mandati i një prej protagonistëve kryesorë në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë në më pak se një muaj. E emrat që vazhdojnë të përmenden në korridoret diplomatike për pozitën Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd janë dy diplomatë të njohur për publikun.
Mirosllav Lajçak, emisari i posaçëm për dialogun, i cili ka mbajtur këtë pozitë për tre vjet, do të largohet nga detyra në fund të muajit.
Përkundër spekulimeve se kush mund të jetë pasardhësi i diplomatit sllovak, akoma nuk ekziston ndonjë emër zyrtar.
Megjithatë, ndër emrat që përmenden janë Pekka Havisto dhe Peter Sorensen.
Të dy janë të njohur në fushën e diplomacisë dhe kanë përvojë në Ballkanin Perëndimor.
Asnjë nga dy kandidatët e përmendur nuk e ka mohuar mundësinë e marrjes së detyrës së vështirë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialog, por gjithçka do të varet nga disponimi i përfaqësueses së re të lartë dhe Këshilli i BE-së.
Në fakt, emrat e ish-ministrit të Jashtëm të Finlandës dhe diplomatit nga Danimarka kanë filluar të përmenden nga vera e vitit të kaluar, në kohën kur për Lajçakun ishte caktuar një pozitë e re – ajo e ambasadorit të BE-së në Zvicër.
E ashtu sikurse në kaluarën, atij i ishte zgjatur mandati edhe në korrik të vitit 2024.
Arsyetimi i BE-së për zgjatjen e mandatit të Lajçakut ishte se emërimi i një të dërguari të ri special për dialogun do t’i lihej shefes së re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, por e cila nuk ka dhënë shumë detaje rreth rolit të saj në këtë proces – nëse ajo do të emërojë një përfaqësues të ri të posaçëm, apo nëse do ta udhëheqë vetë procesin.