Aksionet e Policisë dhe Prokurorisë janë konfidenciale dhe mbrohen me ligj sa herë organet e hetuesisë veprojnë sikur në rastin e arrestimit të tre të dyshuarve – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – për dallavere me rezervat shtetërore.
Mirëpo, Mahmut Halimi avokat i të arrestuarit Ridvan Muharremi, ka deklaruar sot se kanë pasur informacione për bastisje para se aksioni të niste sot në mëngjes.
Ai ka thënë se informacionet i kishin marrë qysh mbrëmë se do të ketë bastisje.
“Qysh mbrëmë në ora 23:15, disa persona kanë thënë se do të ketë bastisje”, ka deklaruar sot avokati Halimi.
Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë ka nisur sot në orën 6 të mëngjesit në dy lokacione.
Ministria që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari i ka mirëpritur hetimet e Prokurorisë Speciale për rezervën shtetërore dhe u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë të mos cenojnë sigurinë kombëtare gjatë hetimeve.
E fundit ka reaguar edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës, e cila ka thënë se duhet pritur përfundimin e punës së organeve të drejtësisë lidhur me arrestimet e sotme të tre të dyshuarve për përfshirje në dallavere me rezervat shtetërore.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se tre të arrestuarit e sotëm – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – janë ndaluar për 48 orë derisa është paralajmëruar se do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të ketë deklaratë gjatë ditës për arrestimin e tre të dyshuarve se janë përfshirë në dallavere me rezervat shtetërore.
Bastisjet janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve në media, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit. /BetimiperDrejtesi/