Një ditë pas riatdhesimit në Shqipëri, SPAK do të marrë në pyetje Floresha Rashën.
Përmes marrjes në pyetje, struktura e posaçme do të tentojë të mësojë emrat e personave që i kanë ndihmuar për të kaluar drejt Sirisë.
Kush është Floresha Rasha?
Ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe nuk dihet në ç’rrethana ajo ka përfunduar kështu. Ajo është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës, i cili në Shqipëri punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”.
Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë ku ishte imam Genci Balla. Ai shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen.
Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik.
Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper duke lënë rrugëve gruan me 3 fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, po xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët.
Në vitin 2015, Shaban Rasha, babai i viktimës dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Shabani u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë.
“Diamant Rashën e kam djalë. Ai ka ndërruar jetë. Di që është vrarë. Ka qenë në fronin e luftës në Siri kundër Bashar Al Asadit, kriminelit të historisë. Në dijeni për vrasjen e djalit tim më ka vënë krushku. Babai i nuses së djalit më tha që Diamanti është vrarë. Elhamdulila, i thashë, të gjithë do vdesim një ditë“, tha ai ndër të tjera para gjyqit.
Pas vrasjes së Diamantit, Floresha dyshohet se ka patur edhe dy fëmijë me kreun e luftëtarëve shqiptarë në ISIS, Lavdrim Muhaxheri, ndërsa një prej fëmijëve është vrarë gjithashtu në luftë.
E plagosur në luftë, me barrelë në Shqipëri
Floresha Rasha u riatdhesua së bashku me tre fëmijët e saj, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha.
Floresha e dobët dhe e lodhur fizikisht u transportua me barrelë nga Rinasi, për tu nisur më pas me autoambulancë drejt Tiranës.
Familjarët prej vitesh jetonin me ankthin e fatit të jetës së të afërmve të tyre.