Site icon PrishtinaPress

Kush është gjyqtari që vendosi në favor të Klan Kosovës?

Arnis Dumani, gjykatës në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, vendosi sot në favor të padisë së Klan Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Ministria e Tregtisë.

Dumani është caktuar të martën në çështjen e Klan Kosovës kundër MINT-it, bazuar në një short ku figuronin edhe emrat e dhjetë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Komerciale.

Ish-avokati, i emëruar vitin e kaluar gjykatës në Gjykatën Komerciale, ka vendosur pro padisë së Klan Kosovës dhe kundër vendimeve të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të MINT.

Vendimet e nxjerra nga Ministria e Tregtisë do të rezultonin e marrjen e licencës së transmetimit të Klan Kosovës nga Komisioni i Pavarur i Mediave.

Në biografinë e gjyqtarit Dumani në uebfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës thuhet se ai është gjyqtar në Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative të Gjykatës Ekonomike.

Në vitin 2014, sipas biografisë, gjyqtari Dumani ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Praktikën profesionale e ka kryer në Odën e Avokatëve të Kosovës dhe ka punuar si hulumtues juridik në OJQ-në Shoqata e Avokatëve Norma. Provimin e jurisprudencës e ka dhënë në vitin 2016, ndërsa avokatinë e ka ushtruar nga data 10.06.2016 deri në emërimin e tij si gjyqtar.

Më 18.01.2021 është emëruar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj, ndërsa më 23.06.2022 është emëruar në Dhomën e Shkallës së Parë të Gjykatës Ekonomike.

Exit mobile version